Ekipimi i ngadalshëm i vendeve të lira në ministri dhe në institucione është për shkak se partneri më i vogël i koalicionit ka mungesë kuadrosh cilësorë për pozita drejtuese, por pjesërisht edhe për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme partiake dhe kalkulimeve për bashkëpunim me parti të tjera
Koalicionit VLEN po i shkon vështirë plotësimi i vendeve të lira në ministri dhe institucione dhe, sipas burimeve, ekipimi i ngadalshëm vjen si pasojë e mungesës së kuadrove cilësore për pozita drejtuese te partneri më i vogël i koalicionit, por edhe për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme partiake dhe kalkulimeve për bashkëpunim me parti të tjera. Pritjet janë që gjatë rikonstruimit të Qeverisë, të cilin kryeministri Hristijan Mickoski e ka paralajmëruar për në pranverë, më në fund institucionet të plotësohen me kuadro nga VLEN-i.
Nga Koalicioni VLEN thonë se propozimet për plotësimin e dy vendeve të zëvendësministrave mund të realizohen edhe para rikonstruimit të Qeverisë.
Dy poste zëvendësministrash në resorët e Mbrojtjes dhe Arsimit janë bosh, ndërsa pas më shumë se një viti pritet të kompletohet edhe Këshilli i ekspertëve i Agjencisë për Mbikëqyrjen e Sigurimeve. Pas largimit nga Qeveria të pjesës së Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Arben Taravari, bashkë me të edhe zëvendësministrja e atëhershme e Mbrojtjes, Elfete Ismaili, VLEN-i edhe pas tetë muajsh nuk ka dorëzuar propozim për këtë pozitë. Nga koalicioni bëjnë të ditur se kandidati për zëvendësministër në mbrojtje tashmë i është dorëzuar kryeministrit, por pritet të kalojë verifikimet e nevojshme institucionale. Për këtë post është propozuar kuadër nga fraksioni i Aleancës për Shqiptarët i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Arben Fetai.
Ivanovski më shumë se një vit pa pasardhës
Në Kuvend ka mbërritur edhe dorëheqja e zëvendësministrit të Arsimit, Lulzim Aliu, i cili largohet nga funksioni për arsye personale. Në dorëheqjen e parevokueshme drejtuar Mickoskit, ai e falënderon kryeministrin për besimin e dhënë.
“Dorëheqja ime vjen si reflektim i analizës sime personale dhe profesionale, duke vlerësuar se në këtë periudhë është më e përshtatshme ta vazhdoj kontributin tim në fushën akademike, në punën time shkencore-kërkimore, si dhe t’i përkushtohem familjes”, ka shkruar Aliu në dorëheqje. Zëvendësministrin e ri në Arsim duhet ta propozojë Alternativa.
Pas një viti nga shkarkimi i Igor Ivanovski-Shema nga funksioni i anëtarit jo-profesionist të Këshillit të ekspertëve në Agjencinë për Mbikëqyrjen e Sigurimeve, kryeministri më në fund i ka dorëzuar Kuvendit propozimin që në vend të tij të vijë Malsor Aziri. Ivanovski është shkarkuar në dhjetor të vitit 2024. Në biografinë e tij, Malsor Aziri thekson se ka qenë drejtues i degës së “Sava Sigurimi” në Kumanovë, ndërsa më parë ka punuar si menaxher dhe drejtues në kompaninë private “Fortuna”.
Nga Qeveria nuk sqarojnë pse është pritur një vit për plotësimin e vendit të Ivanovskit.
“Aktualisht po punohet në procesin e rrumbullakimit dhe kompletimit të Këshillit të ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrjen e Sigurimeve. Më 12 dhjetor 2024 është marrë vendim për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit, me qëllim përmirësimin e funksionimit të tij dhe sigurimin e një përbërjeje të plotë dhe efikase. Propozimi për emërimin e Malsor Azirit si anëtar jo-profesionist është pjesë e një procedure të rregullt dhe ligjore”, thonë nga Qeveria.
Në vështirësitë për plotësimin e pozitave të lira ndikon edhe procesi i ngadalshëm i transformimit të koalicionit VLEN në parti, i cili është bllokuar nga mosmarrëveshjet ndërmjet liderëve të Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit, Besës së Bilall Kasamit, Alternativës së Bekim Salit dhe fraksionit të Aleancës së Fetait për modelin e zgjedhjes së kryetarit të partisë, por edhe nga tensionet e brendshme në Besa mes ministrit të Politikës Sociale, Fatmir Limani dhe liderit Kasami.
I zbrazët ka mbetur edhe vendi i zëvendësdrejtorit të Agjencisë për Media. Edhe pse u shpall konkursi bashkë me konkursin për drejtor, Këshilli i Agjencisë nuk e përzgjodhi zëvendësdrejtorin, pasi kandidati i Alternativës, nuk i plotësonte kushtet. Kështu që, Këshilli hodhi poshtë dy kandidatura tjera dhe e shpalli të pavlefshëm konkursin. Drejtori, megjithatë, u zgjodh, ndërsa VLEN-i mbeti pa zëvendësdrejtor.
“Nuk besoj se do zgjidhet zëvendësdrejtori derisa Alternativa të heq dorë nga kandidati, një mik i afërt i Zeqirija Ibrahimit, që nuk i plotëson kushtet”, thonë në VLEN.
Situatë e ngjashme është edhe në Agjencinë për Komunikime Elektronike. Kandidati për drejtor nga VLEN-i nuk i ka plotësuar kushtet, konkretisht ka dashur që, me certifikatë të falsifikuar të anglishtes, të aplikojë për drejtor. Është tërhequr në moment të fundit, ndërsa Këshilli Drejtues i AKE është detyruar që, drejtorit aktual, edhe pse me mandat të skaduar, ta emëroj ushtrues detyre drejtor edhe për gjashtë muaj.
Ruhet vend edhe për kuadro të Zijadin Selës
Nga ana tjetër, pas largimit të Ismailit nga mbrojtja, VLEN kishte llogaritur në hyrjen e PDSH-së së Menduh Thaçit në pushtet dhe e kishte “ruajtur” atë vend për një kuadër të kësaj partie, por negociatat kanë dështuar. Për zgjedhjet lokale, VLEN mori mbështetjen e Lëvizjes Arbëria, të udhëhequr nga ish-deputetë të PDSH-së që e braktisën partinë, dhe në këmbim koalicioni do t’i japë dy poste drejtuese kësaj lëvizjeje. Një prej tyre tashmë është plotësuar, pasi drejtoreshë e re e Gjinekologjisë në Çair është emëruar ish-deputetja Meral Uzairi, tashmë pjesë e Arbërisë.
Sipas informacioneve nga VLEN-i, një pjesë e pozitave ruhen për një hyrje të mundshme në Qeveri të Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Ziadin Sela, ndonëse ai e ka mohuar një gjë të tillë. Kryeministri ka paralajmëruar disa herë se në pranverë do të pasojë rikonstruimi i Qeverisë, i cili do të përfshijë jo vetëm zëvendësimin e ministrave aktualë, por edhe rokada të resorëve ndërmjet partnerëve qeveritarë. (Slloboden Peçat)
