Policia në Tetovë ka ngritur kallëzime penale kundër dy personave nën dyshimin për ndërtim të paligjshëm dhe uzurpim të pasurisë së paluajtshme.
Bëhet fjalë për një burrë 45-vjeçar me banim në Gjermani dhe një 54-vjeçar banor të fshatit Shipkovicë, të cilët, sipas hetimit, kanë ndërtuar një shtëpi pushimi në një truall që është në pronësi të shtetit në vitin 2023.
Njëri nga të dyshuarit është investitor, ndërsa tjetri ka kryer ndërtimin. Ndërtesa është ndërtuar në një truall kadastral brenda komunës kadastrale të Shipkovicës, pa leje paraprake nga institucionet kompetente.
Drejtoria e Policisë Shtetërore të Tetovës informon se kundër të dyve janë ngritur akuza për “uzurpim të pasurisë së paluajtshme” dhe “ndërtim të paligjshëm”. Rasti do t’i nënshtrohet procedurave të mëtejshme para autoriteteve kompetente.
Kjo edhe një herë ngre çështjen e ndërtimit të paligjshëm, veçanërisht në zonat malore dhe atraktive, ku toka shtetërore shpesh bëhet cak i ndërtimeve të paligjshme.
