Pasi dje Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) njoftoi se përfaqësuesi i qeverisë nuk erdhi në takimin e planifikuar, ku do të nënshkruhej Marrëveshja për Përcaktimin e Pagës Minimale, e cila do ta rriste pagën minimale në 600 euro dhe të gjitha pagat e tjera me 6,000 denarë, LSM-ja njoftoi sot bllokime.Në rrjetet sociale, Kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov, deklaroi se më 10 shkurt, kur është caktuar një seancë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, deputetët do të bllokohen.
Më 12 shkurt, siç njoftoi Trendafilov, do të vijë bllokimi i dytë para Odës së Tregtisë, Lidhjen e Odave të Tregtisë dhe Organizatës së Punëdhënësve, ndërsa më 17 shkurt është planifikuar bllokimi i Qeverisë.
LSM-ja njoftoi se nesër do t’i paraqitet Kuvendit një iniciativë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagat dhe shpërblimet e tjera të deputetëve dhe personave të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar.
Kërkesa e Sindikatës është që paga minimale të jetë 600 euro, dhe të gjitha pagat e tjera të rriten me 6.000 denarë. Nëse Qeveria nuk u përgjigjet kërkesave të punëtorëve, Sindikata paralajmëron protesta të mëtejshme, si dhe vendim për grevë të përgjithshme.
Rritja e rregullt, ligjore e pagës minimale bëhet në muajin mars. Ajo harmonizohet me 50 për qind të rritjes së pagës mesatare neto të paguar për vitin paraprak dhe 50 për qind të rritjes së indeksit të kostos së jetesës për vitin paraprak. Për marsin 2026, kjo do të thotë rritje prej 1.500 deri në 2.000 denarë.
Inflacioni në Maqedoninë e Veriut është rritur me 4,1 për qind në baza vjetore. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), të publikuara më 8 janar, vetëm gjatë vitit 2025 çmimet janë rritur mesatarisht për 4,1 për qind, ndërsa çmimet me pakicë janë rritur për 3,7 për qind.
Paga minimale aktuale është 24.379 denarë (397 euro). Kjo është 2,6 herë më pak se shporta e konsumit për dhjetorin 2025, e cila kap vlerën 65.492 denarë – aq sa ka llogaritur Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) se i nevojitet një familjeje për ta kaluar muajin.
Në rajon, vetëm Kosova ka pagë minimale më të ulët se Maqedonia e Veriut, 384 euro. Paga minimale në Serbi varion nga 505 deri në 580 euro, në varësi të orëve të punës në muaj. Në Shqipëri është 440 euro, në Bosnje dhe Hercegovinë 525 euro, ndërsa më e larta është në Mal të Zi – 600 euro në muaj.
