Ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës, Artan Etemi, ka reaguar ashpër lidhur me procesin gjyqësor për tragjedinë në Spitalin Modular, duke akuzuar gjykatat për injorim të fakteve dhe ekspertizës ndërkombëtare.
Në një postim, Etemi thekson se zbardhja e plotë e rastit kërkonte ekspertizën më të lartë profesionale, ndërsa kujton se në hetim ishte angazhuar një institut prestigjioz nga Gjermania. Megjithatë, sipas tij, Gjykata Themelore në Tetovë dhe Gjykata e Apelit në Gostivar morën vendim “skandaloz” duke refuzuar dëgjimin e ekspertes gjermane.
“ Nuk mund të ketë drejtësi të mirëfilltë përderisa injorohet një ekspertizë e realizuar nga ekspertë gjermanë”, shkruan Etemi, duke shtuar se tashmë edhe opinioni publik e di se kush duhet të mbajë përgjegjësi për spitalin modular.
Ai kritikon ashpër sistemin gjyqësor, duke thënë se të njëjtët gjykatës që, sipas tij, lirojnë persona me vepra të dëshmuara dhe dosje të rënda, janë pjesë e këtij procesi. “Ky gjyqësor ka marrë fund dhe nuk ka më prekje me realitetin”, përfundon reagimin e tij ish-drejtori ekonomik i spitalit.
