Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar ashpër pas deklaratës publike të Kryeministrit Mickoski se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, duke theksuar se me këtë qëndrim u rrëzua përfundimisht çdo premtim i (V)LEN-it për “rrugë të sigurt drejt Bashkimit Evropian”.Sipas Taravarit, në vend që të hapen perspektivat evropiane, rrugët drejt Brukselit po mbyllen çdo ditë e më shumë, ndërsa integrimi evropian po shndërrohet në një proces pa fund dhe pa vizion. Ai vlerëson se realiteti politik po e mban vendin të bllokuar në vendnumëro, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.“Qytetarët po izolohen, po varfërohen dhe po humbin shpresën. Çmimin e kësaj paaftësie të thellë politike po e paguajnë të gjithë, por veçanërisht shqiptarët, të cilët sot po përballen me faturën e impotencës politike të (V)LEN-it. Premtuan ndryshim, por sollën heshtje dhe nënshtrim,” ka deklaruar Taravari.
Ai thekson se koha e alibive ka përfunduar dhe se nuk ka më hapësirë për justifikime apo mashtrime me të ardhmen evropiane të vendit.
