-2.5 C
Tetovo
E martë, 20 Janar, 2026
BallinaLajmeTensione mes ShBA-së dhe Evropës për Grenlandën, Trampi zhvillon diskutime në Davos...

Tensione mes ShBA-së dhe Evropës për Grenlandën, Trampi zhvillon diskutime në Davos për kontrollin e ishullit

Fati i Grenlandës është një provë për aleancat. Territori arktik prej ditësh është në qendër të vëmendjes, për shkak të përpjekjeve të presidentit Tramp për vendosjen e kontrollit amerikan.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë thotë se nuk pret presion të madh nga Evropa apo rezistencë të madhe ndaj planit të tij, pasi gjatë fundjavës kërcënoi me tarifa doganore ndaj vendeve që kundërshtojnë kontrollin amerikan mbi ishullin, sidomos Danimarkës.

Ai njoftoi se do të diskutojë për Grenlandën në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

“Nuk mendoj se do të kundërshtojnë shumë. Ne duhet ta kemi këtë vend. Ata nuk mund ta mbrojnë. Danimarka ka njerëz të mrekullueshëm dhe i njoh liderët si njerëz shumë të mirë, por ata as nuk shkojnë atje. Dhe e dini, fakti që një anije ka shkuar atje para 500 vjetësh e më pas është larguar, nuk u jep të drejtë pronësie.”, – deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Gjatë fundjavës, Trampi kërcënoi se në shkurt do të vendosë një taksë prej 10% për mallrat nga tetë vende evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj kontrollit amerikan mbi Grenlandën.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës ishte i prerë: Evropa duhet të tregojë se kërcënimet me tarifa nuk na çojnë përpara.

“Ajo për të cilën jemi të sigurt është se, nëse nuk japim një përgjigje të fortë, dërgojmë një sinjal dobësie. Është shumë e rëndësishme që të gjithë ne që besojmë në të drejtën ndërkombëtare të flasim, për t’i treguar Trampit se nuk mund të shkojë më tej.”, – theksoi ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Loke Rasmusen.

Një numër i madh trupash luftarake daneze kanë mbërritur në Grenlandë për stërvitje dimërore, në kushtet e rritjes së tensioneve me ShBA-në.

Danimarka dhe Grenlanda kanë propozuar një mision të NATO-s në ishull dhe njoftuan se kanë zhvilluar një takim produktiv në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të Aleancës.

“Sekretari i përgjithshëm është shumë i vetëdijshëm për situatën e vështirë në të cilën ndodhet Mbretëria e Danimarkës, por edhe për sfidat që ekzistojnë në kuadër të NATO-s.”, – u shpreh ministri i Mbrojtjes i Danimarkës, Troels Lund Pulsen.

“Gjëja më e rëndësishme nga takimi ishte se arritëm disa përparime të rëndësishme në lidhje me sigurinë në Arktik. Prandaj, tani po zhvillojmë ushtrime të ndryshme.”, – deklaroi ministrja e Jashtme e Grenlandës, Vivian Motzfeldt.

Danimarka mori mbështetje nga Parlamenti Evropian në mosmarrëveshjen aktuale me ShBA-në, duke këmbëngulur se përmbajtja e BE-së për këtë çështje nuk është shenjë dobësie.

“Masat me të cilat administrata e ShBA-së kërcënoi gjatë fundjavës nuk do të ndihmojnë në përmirësimin e sigurisë në Arktik. Përkundrazi, ata rrezikojnë të prodhojnë efektin e kundërt. Grenlanda dhe Danimarka e kanë bërë të qartë se Grenlanda nuk është në shitje dhe se sovraniteti dhe integriteti i tyre territorial duhet të respektohen. Ky fakt nuk do të ndryshojë.”, – theksoi presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

BE-ja do të diskutojë të enjten në samitin e jashtëzakonshëm në Davos, se si të përgjigjet ndaj kërcënimit më të fundit të Trampit për marrjen e ishullit. Zyrtarisht, Grenlanda është pjesë e Danimarkës, anëtare si e BE-së ashtu edhe e NATO-s. (TVM2)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments