Fillimi i gjysmëvjetorit të dytë shkollor, të martën më 20 janar, po e gjen fshatin Nerovë të Komunës së Krushevës në një situatë alarmante arsimore. Përderisa objekti i ri i ndërtuar me mundin e banorëve mbetet I papërfunduar nxënësit detyrohen të kthehen në mësim në objektin e vjetër që ngjan më shumë me një depo sesa me një institucion arsimor-edukativ. Sipas prindërve, nxënësit edhe këtë gjysmëvjetor do të përballen me kushte të papërballueshme për mësim, vetëm 2 klasa të standardizuara, ndërsa 2 të tjera janë të improvizuara.
“Problemi është se çdo vit numri i nxënësve shtohet dhe hapësira bëhet shumë e vogël. Kemi thënë edhe më herët se objekti i vjetër ka vetëm dy klasa të standardizuara dhe dy që janë të improvizuara në klasa, ashtu që 140 nxënës ti futësh në atë hapësirë të vogël, të punojnë me dy ndërrime me të vërtet është vështirë. Madje, në ciklin e ulët kemi edhe klasa të kombinuara ku pothuajse 30 nxënës janë në një klasë, klasa e dytë dhe klasa e tretë”, deklaroi Dashmir Jusufi, këshilli I prindërve të shkollës në Nerovë.
Dashmir Jusufi nga Këshilli i Prindërve gjithashtu tha për Alsat se pushteti lokal po tregon një injorim total ndaj kërkesave të banorëve. Sipas tij, kryetari i ri i komunës, Niko Çoneski nuk ka pranuar të takohet me prindërit për të gjetur një zgjidhje. Jusufi ka drejtuar akuza edhe ndaj partive politike, duke e cilësuar gjithë zhurmën për legalizimin e parcelës së shkollës si një mashtrim për vota.
“Kryetari i ri tash për tash nuk ka tregu interes, as përgatitje që të takohet me këshillin të prindërve, të bisedohet ose nga ana e drejtorit të shkollës të merret ndonjë iniciativë, tash për tash s’kemi assesi lëvizje. Mundemi të themi se interesi prej anës së komunës është zero, tash për tash nuk kanë tregu asnjë interes. Kishim konfrontime të forta ndërmjet partive, i dëgjonim edhe në lajme ne e legalizuam, ju e legalizuat nuk e di çfarë, mbaroi ajo. Ajo si duket ka qenë krejt një cirk para zgjedhjeve, kaluan zgjedhjet dhe asgjë prej asaj”, tha Dashmir Jusufi, këshilli I prindërve të shkollës në Nerovë.
Niko Çoneski, kryetar i komunës së Krushevës tha përmes telefonit se zgjidhja për shkollën e Nerovës do të bëhet hap pas hapi, që nënkupton se nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë. Sipas tij, objekti i ndërtuar nga vetë banorët duhet t’u nënshtrohet shumë filtrave përpara se të hapë dyert për mësim. Çoneski tha se fillimisht duhet të shpallet një tender për një shtëpi projektuese e cila do të analizojë nëse objekti i ndërtuar nga banorët i plotëson kushtet teknike për të vazhduar me punimet e mbetura ndërtimore.
Sipas banorëve të Nerovës, dekada me radhë, breza të tërë nxënësish kanë mësuar në kushte të mjerueshme. Ishte pikërisht kjo harresë e gjatë shtetërore që i detyroi banorët dhe prindërit e fshatit të marrin situatën në duart e tyre. Me mjetet e veta, me djersën e tyre dhe me kontributet e bashkatdhetarëve, ata arritën të ngrinin një objekt të ri shkollor, duke bërë atë që shteti dështoi ta bënte për 30 vite. Mirëpo, edhe pas këtij akti të komunitetit, institucionet po vazhdojnë të mbajnë peng të ardhmen e fëmijëve përmes procedurave burokratike. /Alsat.mk
