Kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Jusuf Abduli nuk e ka pranuar kërkesën nga këshilltari i AKI-së Arlind Murtezani për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme me rastin e shembjeve pas reshjeve. Sipas Abdulit kërkesa ishte e pabazë dhe organet komunale punojnë në terren për tu dalë në ndihmë qytetarëve, shkruan Portalb.mk.
Këshilltari komunal nga AKI-ja nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Arlind Murtezani, më 9 janar 2026 parashtroi kërkesë deri te kryetari i Këshillit Komunal të Komunës së Tetovës, Jusuf Abduli, për thirrje të seancës së jashtëzakonshme për shkak të situatës emergjente të shembjes së murit mbrojtës në Rrugën 146 pas reshjeve.

Megjithatë, dy ditë më vonë, më 11 janar 2026, Murtezani njoftoi se kërkesa nuk është pranuar nga kryetari i këshillit.
Ai tha se përgjigjja e kryesuesit të Këshillit Komunal lidhur me kërkesën e tij është zhgënjyese, por edhe juridikisht dhe moralisht e papranueshme.
“Rregullorja e Punës së Këshillit Komunal, konkretisht neni 24, parasheh qartë se mbledhja e jashtëzakonshme thirret në raste emergjente kur cenohet siguria publike, jeta dhe prona e qytetarëve. Në këtë rast, kemi të bëjmë me shembje të murit, largim të detyruar të familjeve nga banesat e tyre dhe rrezik real për jetë njerëzish. Këto janë fakte, jo supozime”, tha Murtezani.
Ai shtoi se është paradoksale dhe e papranueshme që kryesuesi refuzon thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme për një çështje që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë publike, ndërkohë që i njëjti kryesues ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme për zbukurime të qytetit për fundvit.
I pyetur nga Portalb.mk se pse e refuzoi këtë kërkesë, kreu i këshillit komunal Jusuf Abduli tha se kërkesa ishte e pa bazë dhe se komuna punon në këtë drejtim.
“Edhe pse kërkesa e këshilltarit ishte e pa bazë, ose ndoshta nuk ishte i njoftuar, për kompetencat dhe cilët organe fillimisht merren me raste të këtilla. E njoftova këshilltarin në fjalë, se organet kompetente Komunale po e trajtojnë rastin e shembjes së murit në lagjen 146. Por edhe për shembjen e dheut në rrugën e Banjës, organet kompetente Komunale po punojnë në teren me ekipet e veta për tu dalë në ndihmë qytetarëve”, tha Abduli.
Ai shtoi se kur do jetë nevoja dhe kur organet kompetente do të nxjerrin vlerësimet e veta, Këshilli i Komunës do të miratojë akte të nevojshme për të iu dalë në mbështetje qytetarëve.
Si pasojë e reshjeve ditëve të fundit, në lagjen 146 u shemb një mur, ndërsa rruga e Banjës së Tetovës u bllokua disa herë për shkak të shembjeve të dheut dhe rënies së shkëmbit, ku më pas u ndërhy për lirimin e së njëjtës.
