Viti 2026 do të nisë me greva, protesta dhe bllokada. Paralajmërimet vijnë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Nënkryetari i LSM-së, Ivan Peshevski, për televizionin Alsat, thotë se nëse pushteti nuk e pranon kërkesën për rritjen e pagës minimale në 600 euro, punëtorët do të dalin në rrugë.
Peshevski shton se nuk pajtohen me asnjë propozim që subvencionet të mbeten të njëjta si për pagën minimale.
“Po ashtu pamë hedhjen e topit nga përfaqësuesit e Qeverisë që të merren vesh sindikatat dhe punëdhënësit. Nëse mendojmë se kështu i nënvlerësojmë punëtorët, do të krijojmë revoltë edhe më të madhe. Duke pasur parasysh, nëse mund të biem dakord kështu, hajde të biem dakord se sa të jetë çmimi i rrymës, sa të jetë çmimi i bukës, sa të jetë çmimi i ujit. Qeveria nuk mund të jetë vëzhgues i heshtur apo vetëm ndërmjetës. Qeveria është përfaqësuese e shtetit, dhe shteti, nëse nuk i frenon ose nuk i detyron punëdhënësit t’i rrisin pagat, punëtorët kurrë nuk mund të dalin fitues nga ai rreth i mbyllur dhe magjik, që vazhdimisht rrotullohet, ndërsa ata thonë se edhe 400 euro janë shumë, e lëre më 500 apo 600 euro”, tha Ivan Peshevski – nënkryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.
Nga opozita e LSDM-së thonë se të gjithë e kanë të qartë se rritje të pagës minimale nuk do të ketë, duke shtuar se qeveria e Mickoskit nuk ka para as për pagën minimale, as për bujqit, e as për pensionistët.
“Është e qartë se të gjithë do të duhet të mësohen me faktin se paga më të larta nuk do të ketë. Sipas marrëveshjes që e publikuan mediat britanike, shteti ka detyrim t’u sigurojë paga, akomodim, sigurim. Duhet të paguhen pa marrë parasysh nëse ka apo nuk ka punë. Prandaj nuk do të ketë para për paga më të larta për punëtorët, as para për pensione më të larta për pensionistët. Jo, këta nuk janë migrantë, këta janë “punëtorë ekonomikë”, u shpreh Simona Cvetanovski – anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM.
Nga Qeveria mbeten në qëndrimin se gjithçka që do të dakordohen punëtorët dhe punëdhënësit, ata do ta pranojnë.
Nëse nuk ka marrëveshje, do të mbetet harmonizimi ligjor në vlerë prej 1.500 deri në 2.000 denarë. Sipas të dhënave të LSM-së, mbi 30 mijë qytetarë në vend marrin pagë minimale.
Në Shqipëri, paga minimale nga 1 janari do të jetë 500 euro, në Kosovë 430 euro, ndërsa nga qershori edhe atje do të arrijë në 500 euro, në Serbi 550 euro, ndërsa në Bosnjë e Hercegovinë paga minimale do të jetë sa mesatarja në Maqedoni./ Alsat.mk
