0.2 C
Tetovo
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
BallinaLajmeASH denoncon skandal në shëndetësi/ Shpërblim për militantët, ndëshkim për mjekët

ASH denoncon skandal në shëndetësi/ Shpërblim për militantët, ndëshkim për mjekët

Aleanca për Shqiptarët – Dega Tetovë ka reaguar ashpër duke shprehur indinjatë të thellë ndaj, siç e cilëson, trajtimit çnjerëzor, të padrejtë dhe thellësisht të politizuar të personelit mjekësor në Spitalin Teknik në Tetovë, të cilëve u kanë përfunduar kontratat e punës pa marrë asnjë vendim, pavarësisht premtimeve publike të dhëna para zgjedhjeve.Sipas reagimit, bëhet fjalë për punonjës shëndetësorë me përvojë nga 2 deri në 10 vjet, të cilët kanë shërbyer edhe pa pagesë dhe kanë qenë shtylla kryesore e funksionimit të sistemit shëndetësor gjatë pandemisë. Sot, ata po përjashtohen nga vendet e punës, ndërsa pozicionet u jepen të sapopunësuarve, militantëve partiakë dhe personave të afërt me VLEN-in dhe VMRO-në.

“Kjo është tradhti morale, mashtrim politik dhe skandal shtetëror”, thuhet në reagim.

Aleanca për Shqiptarët akuzon drejtpërdrejt Ministrin e Shëndetësisë Azir Aliu, Drejtorin e Spitalit dhe përfaqësues të VLEN-it se para zgjedhjeve kanë vizituar spitalin, janë fotografuar dhe kanë premtuar hapur vendime pune, duke manipuluar me shpresën dhe sakrificën e punonjësve shëndetësorë. Sot, sipas tyre, të njëjtët punonjës janë në protesta, të zhgënjyer dhe të braktisur, ndërsa përgjegjësit heshtin.

“Kjo nuk është thjesht padrejtësi, kjo është paturpësi politike”, theksohet më tej.

Aleanca për Shqiptarët i bën thirrje urgjente Kryeministrit që të ndërhyjë menjëherë dhe të kërkojë llogari publike nga Ministri i Shëndetësisë, duke ngritur disa pyetje kyçe:
– Si është e mundur që personel me vite shërbimi të përjashtohet?
– Kush i ka zëvendësuar dhe mbi çfarë baze?
– A është shëndetësia publike pronë e partive apo shërbim për qytetarët?

Nga ASH kërkojnë përgjigje të drejtpërdrejta dhe veprime konkrete, duke theksuar se dinjiteti i mjekëve, infermierëve dhe stafit shëndetësor nuk mund të shndërrohet në material fushate dhe se shëndetësia publike nuk mund të ndërtohet mbi gënjeshtra, fotografi dhe militantizëm partiak.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments