Konkluza të reja nga Këshilli Evropian dhe respektimi i të drejtave të komunitetit maqedonas në Bullgari janë mesazhet lidhur me proceset eurointegruese dhe çështjet e hapura me Bullgarinë, të cilat i përcolli lideri i partisë VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, në kongresin e djeshëm, duke ripërsëritur qëndrimin se nuk do të heqë dorë nga pozicioni i tij lidhur me ndryshimet kushtetuese.Nëse vërtet askush nuk ka problem me konstantën tonë identitare shekullore dhe me gjuhën tonë amtare maqedonase, dhe nëse nuk do të ketë më veto bilaterale, atëherë të paktën qytetarët e këtij vendi meritojnë konkluza të reja nga Këshilli Evropian. Këto janë dy shtyllat për të cilat jemi të gatshëm të diskutojmë”, tha Hristijan Mickoski.
A do të jetë kjo strategjia që ai do të ndjekë pas festave të Vitit të Ri, për kohën kur priten hapa më intensivë në rrugën eurointegruese të vendit, mbetet për t’u parë, por ai kërkon hapur që negociatat t’i zhvillojë me liderët evropianë. “Ne kemi një çështje të hapur me fqinjët tanë lindorë, por duket se nuk kemi bashkëbisedues nga ana tjetër,” theksoi Mickoski.
“Jemi të gatshëm të diskutojmë, por së pari le të vendosin çfarë lloj bisedash duan të kemi – bilaterale apo me Brukselin. Nëse janë bilaterale, kjo konfirmon tezën tonë se rruga jonë evropiane po bilateralohet. Nëse duan të bisedojmë në Bruksel, në praninë e diplomatëve evropianë, jemi të gatshëm të shkojmë edhe nesër dhe të prezantojmë argumentet tona”, deklaroi Mickoski.
Javën e kaluar u miratuan draft-konkluzat e Bashkimit Evropian, ku theksohej se Maqedonia duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese para se të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare me BE-në. Ambasadorja gjermane, Petra Dreksler, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, theksoi se hapi i radhës që Maqedonia duhet të ndërmarrë është shumë i qartë.
“Së pari duhet të theksohet se kjo siguri se ‘nuk do të ketë më vonesa të tjera, kushte shtesë jashtë asaj që është rënë dakord’ është e vlefshme. Ky nuk është vetëm qëndrimi i Komisionit Evropian, por i gjithë BE-së”, tha Petra Dreksler.Lidhur me Kongresin e djeshëm të VMRO-DPMNE-së, nga partia SDSM u komentua se ai përfaqëson, siç thuhet, “Kongresin e fëmijëve të Orbanit.”
