Gjatë gjithë javës, deputetët po diskutojnë mbi më shumë se 200 amendamente të dorëzuara mbi Projekt-buxhetin për vitin 2026. Sot u ndez debati mes deputetëve të bllokut shqiptar për këtë çështje, për atë se kush ka investuar më shumë në komunat me shumicë shqiptare. Nga Fronti Evropian janë të pakënaqur që deri tani nuk është pranuar asnjë nga amendamentet e tyre dhe pyetën ku është VLEN. Nga ana tjetër, VLEN thonë se pa shumë teatrale kanë bërë shumë.
“Ne kishim amendamente për përmirësimin e kushteve në shkolla, palestra sportive ku nxënësit të kenë kushte më të mira, si dhe për infrastrukturat e tjera që lidhen me nevojat elementare të fshatrave dhe të qyteteve tona. Pra, asnjë amendament nuk u miratua, zero. Zëvendësministri normalisht e kryen rolin e tij, por lind pyetja se si po e bëjnë punën përfaqësuesit shqiptarë në pushtet, pra ata nga VLEN”, tha Halil Snopçe, Deputet – Fronti Evropian.
“Parlamenti duhet të punojë dhe jo vetëm për formalisht dhe paraqitje. Gjithsesi, koalicioni VLEN ka kontribuar si kurrë më parë që të ketë investime në komunat me shumicë shqiptare, veçanërisht gjatë vitit të fundit dhe pa formalitete. Janë investuar rreth 90 milionë euro në komunat ku shqiptarët janë shumicë”, theksoi Bekim Qoku, deputet i VLEN-it.
