Mbi 20 të punësuar me kontratë pune dhe 58 punëtorë social sezonal janë larguar nga puna në Komunën e Kërçovës. TV21 mëson se 58 punëtorët sezonalë kontratat e punës i kanë pasur deri në gusht 2026, ndërsa 20 të tjerë kanë pasur kontrata valide deri në fund të muajit dhjetor. Për këtë pyetëm kryetarin e Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, i cili e arsyetoi largimin duke thënë se kontratat ishin para skadimit.
“Shihe, t’u them realisht kontratat e punës ishin para përfundimit dhe ne e bëmë këtë në interesin e tyre por edhe interesin e Komunës që të shohim cilit nga ata realisht janë të nevojshëm. Besoni se listën mund ta shohim megjithatë unë nuk di kush janë dhe më mirë që nuk e di sepse ajo u bë në mënyrë jo selektive”, tha Aleksandar Jovanovski – Kryetar i komunës së Kërçovës.
Për këtë ka reaguar edhe dega e BDI-së në Kërçovë duke e cilësuar si vendim të padretjë, të motivuar politikisht dhe riorganizim në baza etnike.
“Përkundër këtij realiteti të dhimbshëm, subjektet që ia mbajnë ison VMRO-DPMNE-së heshtin ose jetojnë në një univers paralel duke refuzuar të përballen me realitetin. Integrimi i shqiptarëve në çdo nivel institucional nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese e cila nuk mund të negociohet as të injorohet. Andaj, u bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse të rishikojnë me kujdes secilin rast dhe të sigurojnë që çdo vendim të jetë në përputhje me legjislacionin dhe standardet profesionale”, thonë nga BDI, Dega Kërçovë.
Reagimet kanë qenë të shumta edhe në rrjetet sociale, ndërsa pritet të shihet nëse do të ankohen të punësuarit të cilët u larguan nga puna para skadimit të kontratave.
