Koordinatori i Bashkimit Demokratik për Integrim në Strugë, Valon Qyra, ka reaguar publikisht lidhur me largimet e disa punonjësve nga Komuna e Strugës, duke i cilësuar zhvillimet e fundit shqetësuese dhe të padrejta.
Sipas tij, deri më tani janë larguar nga puna nëntë të punësuar, ndërsa pritet që ky numër të rritet me rreth 20 të tjerë, kryesisht shqiptarë. Qyra thotë se bëhet fjalë për punonjës me përvojë shumëvjeçare dhe përkushtim, të cilët aktualisht po përballen me pasiguri të madhe ekonomike.
“Shumë prej tyre janë prindër që rritin fëmijë, kanë kredi dhe obligime të përditshme. Për disa, paga e komunës është e vetmja e ardhur që mban familjen”, thekson Qyra, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të largimeve.
Ai apelon që vendimet e marra pa arsye profesionale të qarta të rishikohen dhe punonjësit e larguar të kthehen në pozitat e tyre.
“Largimet e bëra pa argument krijojnë frikë, përçarje dhe klimë të rëndë. Institucionet janë për t’i mbështetur qytetarët, jo për t’i lënë pa punë. Njerëzit nuk janë numra”, shton ai, duke e quajtur situatën “çështje dinjiteti për të gjithë Strugën”.
Qyra kërkon nga Komuna e Strugës që të sigurojë drejtësi, respekt dhe qasje njerëzore ndaj të punësuarve.
