Ligji për tatim për blerje nga platformat online që u votua në Kuvend implementimi i të cilit pritet të fillojë brenda ditëve nuk do të obligojë që tatimin ta paguajnë qytetarët por atë do të duhet ta paguajnë kompanitë.
Zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë, Mustafa Dauti në një prononcim për TV Shenja njoftoi se me ligjin ekzistues platformat online nuk kanë paguar tatim për shitje më të ulta se 22 euro. Ndërkaq tha se me ligjin e ri do të duhet të paguajnë tatim edhe për shitje të produkteve me vlerë duke filluar nga 1 euro.
MUSTAFA DAUTI – ZV. DREJTOR I DOGANAVE
“Nuk ka rëndësi se çfarë vlere ka produkti të cilin e blenë. Fillon nga zero, këto pagesa dhe pse ky ligj është pru në këtë formë . Tendenca ka qenë që të mbrohen kompanitë vendase, të mbrohet ekonomia e vendit të hapen vende të reja të punës”.
Zëvendësdrejtori Dauti zbulon edhe të dhëna zyrtare nga blerjet që qytetarët kanë bërë nga platformat online deri më tani, njofton se një pjesë e mallërave të importuar i janë nënshtruar pagesës së TVSH-së kurse një pjesë nuk kanë paguar TVSH.
MUSTAFA DAUTI – ZV. DREJTOR I DOGANAVE
“Vetëm në muajin gusht nga Temu kemi sasinë prej 66.9 mijë kilogramësh që kanë qenë të përjashtuar nga pagesa e detyrimeve dhe tjetra, është 140.6000 kilogramë për të cilat janë paguar detyrime në vlerë prej 35.7 milion denarësh. Kompanitë janë ata të cilat do ta mbulojnë këtë TVSH”.
Ditë më parë në Kuvend u miratua ligji që obligon kompanitë e platformave online të paguajnë tatimin e vlerës së shtuar. Arsyetimi ka qenë ruajtja e konkurencës dhe ekonomisë vendore.
