Zgjedhja e Zohran Mamdanit në postin e kryebashkiakut së Nju Jorkut nuk është thjesht një fitore lokale politike, pasi ai përfaqëson një çarje të thellë në vetë thelbin e sistemit urban amerikan, në një qytet që për dekada ka qenë fushë e dominimit të Wall Street-it, gjigantëve të pasurive të paluajtshme dhe makinave politike që përcaktonin ose përpiqeshin të përcaktonin gjithçka.
Mamdani arriti të shprehë lodhjen e klasës së mesme, të rinjve dhe emigrantëve nga kostoja e papërballueshme e jetesës dhe nga konsumimi i elitës demokrate. Në thelb, ai nuk fitoi sepse frymëzoi, fitoi sepse kundërshtarët e tij kishin humbur besimin e elektoratit.
Një qytet në buzë të greminës
Nju Jorku është sot një qytet në krizë strukturore: banesat janë kthyer në privilegj, shërbimet publike po shemben dhe klasa e mesme po zhvendoset drejt periferve apo po largohet krejtësisht nga qendra metropolitane.
Mamdani arriti ta kapitalizojë këtë realitet me saktësi dhe këmbëngulje, duke folur për ngrirje të qirave, përmirësim të transportit publik dhe zgjerim të mbrojtjes sociale përmes taksimit të bizneseve të mëdha.
Programi i tij ngjante më shumë me një manifest lëvizjeje sesa me një plan tradicional qeverisjeje, por rezultoi i mjaftueshëm për të bashkuar një shumicë të pakënaqurish dhe kjo është, në vetvete, një arritje domethënëse.
Ndarja me të vjetrën
Përballë Mamdanit u gjendën dy botë të ndryshme: Andrew Cuomo, si përfaqësuesi klasik i mekanizmit partiak, dhe elitat ekonomike që panë në fitoren e tij një kërcënim për stabilitetin e investimeve. Me pak përvojë administrative, Mamdani fitoi sepse simbolizonte rrëzimin e arrogancës që kishte karakterizuar bashkinë e Nju Jorkut gjatë viteve të fundit.
Pjesëmarrja në zgjedhje kaloi shifrën prej dy milionë votash, një rekord për standardet lokale, duke treguar se qytetarët nuk votuan për shpresë, por për paralajmërim.
Reagimet e para të tregut
Fitorja e Mamdanit shkaktoi lëvizje të menjëhershme në strukturën ekonomike të qytetit. Burime nga komuniteti financiar raportojnë se grupe të mëdha investimesh dhe kompani teknologjike po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së selive tatimore në Nju Xhersi apo Miami, duke parashikuar rritje të taksave dhe kufizime të stimujve për pasuritë e paluajtshme.
Investitorët e konsiderojnë administratën e re si të paparashikueshme, me fokus më shumë në rishpërndarje sesa në rritje. Bursa e Nju Jorkut reagoi me kujdes, por pasiguria është tashmë e pranishme.
Nën administratën e Donald Trump, Uashingtoni e sheh Nju Jorkun me rezervë. Presidenti nuk fsheh pakënaqësinë e tij ndaj “administratave eksperimentale të majta” dhe, sipas burimeve, në Shtëpinë e Bardhë po shqyrtohet shkurtimi i fondeve federale për qytetet që ndjekin politika “të kundërta me strategjinë ekonomike kombëtare”.
