Nëpërmjet një reagimi në Facebook, ish-kryeministri Zoran Zaev ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke i quajtur ato shpifje dhe trillime të dëshpëruara për të fshehur dështimet e tij.
“Shpifjet, fyerjet dhe trillimet janë metodat e Mickoskit me të cilat ai përpiqet të justifikohet për katastrofën që po ia shkakton shtetit.
Paaftësia e tij për të sjellë qoftë edhe një rezultat të vetëm në ndonjë fushë të shoqërisë apo politikës, e përzier me vetëkënaqësinë dhe arrogancën e tij, do ta çojë drejt humnerës politike. Por duhet të kemi kujdes që të mos e tërheqë me vete edhe shtetin në atë humnerë,” shkroi Zaev.
Ai i hodhi poshtë me vendosmëri gënjeshtrat dhe akuzat e Mickoskit për të ashtuquajturat “valixhe me para nga një ish-kryeministër bullgar”, duke i quajtur ato të pavërteta dhe të fabrikuara.Së pari, nuk ekziston asnjë valixhe, asnjë para, dhe asnjë lidhje me ndonjë ish-kryeministër nga Bullgaria. Kjo është vetëm një përpjekje e dëshpëruar e një kryeministri të paaftë për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga dështimet e tij te trillimet që shpik vetë,” theksoi Zaev.
Ai shtoi se nëse dikush është “ekspert për valixhe me para”, atëherë ata janë pikërisht mbështetësit dhe financuesit e Mickoskit:
“Pamë në videot që ata vetë i publikuan se kush janë ekspertët e vërtetë për valixhe me para – ata që Mickoski mburrej se i kanë paguar faturat e rrymës në ‘Pallatin e Bardhë’, ata që donin të bëheshin konsuj bullgarë dhe kriminelët e dënuar që janë lënë të mbrohen nga liria vetëm për të sulmuar opozitën,” përfundoi Zaev.