10.5 C
Tetovo
E shtunë, 4 Tetor, 2025
BallinaLajmeBDI për vizitën e zyrtarëve të Beogradit: Qeveria e VLEN-it dhe Mickoskit...

BDI për vizitën e zyrtarëve të Beogradit: Qeveria e VLEN-it dhe Mickoskit – vegël e “Botës Serbe”

Në kulmin e një fushate zgjedhore vendimtare, kur shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë përballë një referendumi historik për të ardhmen e tyre politike dhe kombëtare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj vizitës së qeverisë serbe në Shkup, duke e cilësuar si “kapje të shtetit nga Beogradi me bekimin e Mickoskit dhe VLEN-it”.

Në reagimin e BDI-së, thuhet se “në mes të fushatës, kryeministri nga Beogradi, me të gjithë kabinetin qeveritar, u ul në Shkup me mikpritjen e Mickoskit dhe VLEN-it. Ky akt është dëshmia më e qartë se Maqedonia e Veriut po rrëshqet drejt statusit të ‘Republikës së tretë serbe’”.

Sipas kësaj partie, raportet ndërkombëtare, përfshirë ato të Parlamentit Evropian, kanë paralajmëruar prej kohësh për ndikimin e rrezikshëm të projektit të “Botës Serbe” në vend, ndërsa “sot ky ndikim u vulos me marrëveshje të reja të shitura si ‘bashkëpunim ekonomik’ dhe ‘stabilitet rajonal’, por që në realitet përfaqësojnë vetëm kapjen e plotë të shtetit nga Beogradi”.

Në reagim përmenden një sërë faktesh që, sipas BDI-së, dëshmojnë depërtimin sistematik të ndikimit serb në institucionet e Maqedonisë së Veriut:
– Emërimi i Ivan Stoilkoviçit si zëvendëskryeministër për Marrëveshjen e Ohrit;
– Pranimi i donacioneve serbe për ndërtimin e kishave në Tetovë;
– Pritja me ceremoni shtetërore e Millorad Dodikut në Shkup;
– Shënimi i betejave serbe në Manastir si “luftë serbe në tokat e tyre”;
– Pjesëmarrja e Kishës Ortodokse Serbe në ceremonitë shtetërore;
– Kryqi ilegal në Kodrën e Diellit, i ndriçuar gjatë natës si simbol pushtimi;
– Nënshkrimi i kontratave të energjetikës nga drejtorë të VLEN-it me kompani serbe;
– Depërtimi i kompanive serbe në telekomunikacion;
– Defilimi i ministrave serbë në Shkup me deklarata për “tokat serbe” dhe “çlirim” të Kosovës.

BDI thekson se pika kulmore e këtij procesi ishte më 10 shtator, “kur kryetarja e Komisionit për Letrat me Vlerë, Bujare Abazi, lejoi hyrjen e bankës serbe Alta Banka në tregun financiar të Maqedonisë së Veriut – një krim institucional, i firmosur dhe vulosur nga VLEN, që i hap rrugë depërtimit financiar të Serbisë në zemër të ekonomisë sonë”.

Në reagimin e saj, BDI ngre disa pyetje për të cilat kërkon përgjigje publike: Çfarë u diskutua në takimet e djeshme mes Beogradit dhe Shkupit, dhe pse mbahet si sekret shtetëror? Për çfarë u dakorduan dy qeveritë në dëm të interesave të shqiptarëve? Cilat fusha të tjera do t’i dorëzohen ndikimit serb?

Sipas kësaj partie, “e vërteta është e thjeshtë: Mickoski dhe VLEN janë vegla të ‘Botës Serbe’, ndërsa shqiptarët po e paguajnë dhe do ta paguajnë çmimin e këtij servilizmi politik”.

Në fund të reagimit, BDI riafirmon se do të qëndrojë fuqishëm në krah të shqiptarëve, duke mbrojtur Marrëveshjen e Ohrit, gjuhën shqipe dhe interesat kombëtare.

“Këto nuk mund të negociohen, nuk mund të shiten në tryezat e Beogradit dhe nuk do të lejojmë kurrë që sakrificat e gjeneratave shqiptare të tradhtohen për interesa pushteti,” përfundon deklarata e BDI-së.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments