Policia në Shkup ka vënë në pranga dy shtetas të Turqisë, të dyshuar për shantazh dhe kërcënim ndaj një bashkatdhetari të tyre. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ata i kishin kërkuar 40 mijë euro viktimës, duke e kërcënuar se do ta vrisnin.
Arrestimi u krye mbrëmjen e 29 shtatorit, në zonën e Qendrës, nga Njësia kundër Krimit të Dhunshëm dhe Policia Intervenuese, në koordinim me Prokurorinë Publike. Të dy të dyshuarit, E.O. (29) dhe E.A. (22), u kapën në momentin kur po merrnin paratë, të cilat paraprakisht ishin përpunuar nga policia.
Viktima, 26-vjeçar me qëndrim të përkohshëm në Shkup, kishte raportuar më herët se një shtetas tjetër turk, që jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe, e kërcënonte vazhdimisht për t’i dhënë para. Në këtë ndërkohë, njëri prej të arrestuarve e kishte kontaktuar dhe i kishte kërkuar që shumën ta dorëzonte tek ai.
Të dy të dyshuarit ndodhen në stacionin policor, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tyre pritet të ngrihen kallëzime penale.