Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin me të rinjtë e Kërçovës, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm, ku ka theksuar se shqiptarët në Maqedoni janë autoktonë dhe se të drejtat e tyre nuk mund të mohohen.
“Ta humbish integritetin dhe dinjitetin, është sikur t’ia marrish shpirtin e organizmit. Për fat të keq, kjo na ka ndodhur neve për këto 15 muaj. Na kanë goditur edhe në dinjitet, edhe në integritet,” u shpreh Ahmeti.
Ai kujtoi një episod të së kaluarës politike:
“Çka më ktheu mua pas në konceptin tim, ishte kur e pashë udhëheqësin e VMRO-DPMNE-së së atëhershme që ia drejtonte dorën fotografisë së Fatmir Deharit dhe thoshte: Fatmir Dehari le të shkojë në Shqipëri po ta duaj Shqipërinë, por këtu është Maqedoni. Kjo është Maqedoni shqiptare dhe le ta dinë të gjithë.”

Ahmeti nënvizoi se shqiptarët nuk janë të ardhur, por popull autokton në këto troje:
“Shqiptarët nuk janë të dyndur nga ndonjë vend, nuk janë ardhacakë, por janë autokton bashkë me diellin që ka lind. Tani, në këto toka, të ua mohosh shqiptarëve gjuhën, historinë, është padrejtësi e madhe. Këto janë teza të Çubrilloviçit dhe Grashaninit, që unë po i shoh se po përpiqen t’i aplikojnë me shqiptarët. Me vetëdije ose pa vetëdije, politikanët sot në Maqedoni po tentojnë t’i zbatojnë.”
Duke iu drejtuar rinisë, ai kujtoi sakrificat e brezit të kaluar:
“E dashura Rini, vëllezërit tuaj para 24 vitesh kanë derdhur gjak për këtë flamur, kanë derdhur gjak për ato Universitete që sot i kemi. Universiteti i Tetovës është i vetmi në botë që është hapur me gjak. Moshatarët tuaj u flijuan që gjuha dhe identiteti i tyre të mos mohohet. Sot, obligimi dhe misioni juaj është që këtë krenari dhe këtë gjak të derdhur për lirinë tonë, ta mbroni dhe të jeni avangarda e pamposhtur. Të gjithë ne do të jemi në ballë dhe nuk do t’ju lëmë vetëm në mbrojtjen e këtyre të drejtave.”

