Qeveria e Maqedonisë së Veriut është kundërpërgjigjur ndaj reagimeve të partive opozitare për masën e angazhimit të 400 zjarrfikësve në kohë para zgjedhore.Nga Qeveria, reagimin e opozitës e quajnë si manipulim, duke thënë se angazhimi i zjarrfikësve u bë me buxhet të konfirmuar më herët për shkak të problematikave me zjarret në territorin e vendit.
“LSDM vazhdon ta keqpërdorë kohën e vet mediatike për të manipuluar me faktet dhe për të përhapur gënjeshtra, masa për 400 zjarrfikës është edhe një sulm në vargun e sulmeve politike të paskrupullta. Në vend që t’i përkushtohen të vërtetës, ata përsëri përpiqen të krijojnë kaos dhe të manipulojnë opinionin me informacione të pasakta.
Faktet janë të thjeshta dhe të pakundërshtueshme, kjo është hera e parë në historinë e shtetit tonë që zbatohet një masë punësimi e cila shfrytëzon plotësisht resurset e disponueshme, me qëllim që të mbrohen qytetarët nga fatkeqësitë natyrore dhe të përmirësohet mjedisi jetësor. Sa i përket pagesës së pjesëmarrësve për këtë masë e cila është e parashikuar si 6.2 në planin operativ dhe është e dedikuar për mbrojtje nga zjarret, absolutisht nuk ka asnjë lidhje ndërmjet shpalljes së zgjedhjeve lokale dhe pagesës së mjeteve, për arsye se mjetet janë siguruar dhe nuk bëhet fjalë për asnjë pagesë të jashtëzakonshme! Për personat që janë të përfshirë në këtë masë ju informojmë se ata janë angazhuar më datë 08.08.2025, dokumentacioni (raporti i rregullsisë) për pagesë nga ana e organizatorit është tashmë në proces dhe do t’u dërgohet Qendrave për punësim pas së cilës do të vijojë edhe pagesa”, thuhet në reagimin e Qeverisë.