22.9 C
Tetovo
E enjte, 28 Gusht, 2025
BallinaLajmeBDI: Nga Balancuesi te Badenteri, plani për ta rrënuar rendin kushtetues

BDI: Nga Balancuesi te Badenteri, plani për ta rrënuar rendin kushtetues

BDI përmes një komunikate sot vlerëson se Maqedonia e Veriut nuk ka pasur kurrë një qeveri më anti-Marrëveshjes së Ohrit, më anti-integrimit europian dhe më nën diktatin e botës serbe sesa kjo që po udhëheq sot vendin.

“Qëndrimet publike të përfaqësuesve të qeverisë kundër Marrëveshjes së Ohrit fatkeqësisht janë shndërruar në praktikë. Të thuash se ‘është koha për shfuqizimin e shumicës së Badinterit’, një nga shtyllat kryesore të rendit kushtetues të vendit, nuk është rastësi.

Për fat të keq, çdo ditë e më shumë po i jepet hapësirë partive politike apo politikanëve, të cilët kanë ide të rrezikshme dhe të cilët mendojnë se shtetet multietnike nuk janë funksionale, të cilët janë ithtarë të shteteve të pastra etnike. Ide të tilla dhe ideolog të tillë janë tejet të rrezikshëm, për shkak se me atë acarohen marrëdhëniet ndëretnike e shkohet deri në rrënim të tyre. Ne jemi dëshmitarë se kjo qeveri ka agjendë që në mënyrë sistematike ta sulmojë Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa kjo u dëshmua me një sërë veprimesh, me anulimin e Balancuesit dhe me mosrespektimin e përfaqësimit të drejtë, me mosrespektimin e gjuhës shqipe dhe ligjit për gjuhën shqipe, me atë që VMRO-DPMNE kërkoi që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë ligjin për gjuhën shqipe. Në këto momente edhe pse kemi ligj për përdorimin e gjuhëve, mbi 100 institucione, flasin vetëm në një gjuhë”, thekson BDI.

Sipas saj, qeveria padrejtësisht po ul numrin e këshilltarëve në komuna, duke cenuar përfaqësimin real të shqiptarëve, në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për vetqeverisje lokale dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Në fillim nuk respektuan vullnetin politik të shqiptarëve, i zgjodhën ata që shqiptarët i refuzuan. Më pas ndaluan përdorimin e flamurit kombëtar nga zyrtarët shtetërorë. E radhës ishte gjuha shqipe. Pas kësaj sulmuan mekanizmin mbrojtës të përfaqësimit të drejtë dhe hoqën balancuesin. Tani po lexojmë se si duan të heqin edhe votimin me “Badenter”! Dhe ky plan po realizohet sepse ata gjetën disa shqiptarë, që për një post janë të gatshëm të heqin dorë nga gjithçka që ka vlerë për shtetin multietnik dhe unitar. Mirëpo, më 19 tetor, populli do të japë përgjigjen e vet në referendumin popullor. Ora e përgjegjësisë politike dhe juridike po afron”, reagon BDI.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments