20 C
Tetovo
E shtunë, 23 Gusht, 2025
BallinaLajmeKlekovski u bëri thirrje pacientëve të paraqesin ankesa nëse mendojnë se janë...

Klekovski u bëri thirrje pacientëve të paraqesin ankesa nëse mendojnë se janë dëmtuar nga ndërhyrjet e kryera

Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH), Sasho Klekovski, në një intervistë në emisionin “Vesti Plus” në Kanal 5, u bëri thirrje qytetarëve që mendojnë se janë dëmtuar në kardiokirurgji ose gjatë ndërhyrjeve të tjera mjekësore, të paraqesin ankesa zyrtare, transmeton Portalb.mk.

Apeli vjen pas deklaratës së kardiokirurgut Sashko Kedev, i cili akuzoi se në disa spitale private kryhen ndërhyrje të panevojshme për arsye përfitimi, përfshirë edhe vendosjen e stentëve.

“Apeloj që çdo qytetar që është dëmtuar ose mendon se është dëmtuar të paraqesë ankesë me argumentet e veta. Vetëm kështu mund të veprojmë në mënyrë konkrete. Mijëra pacientë kanë vendosur stentë dhe është e pamundur të kontrollohet dosje pas dosjeje pa ankesa zyrtare”, deklaroi Klekovski.

Ai theksoi se FSSH nuk ka kontrata për vendosjen e stentëve me klinikat private “Zhan Mitrev” dhe “Sistina” dhe se kapacitetet për kardiologji intervenuese në institucionet publike janë të mjaftueshme – në Shkup, Tetovë, Manastir, Shtip dhe Ohër. Për këtë arsye, sipas tij, nuk ka kontrata për vendosjen e stentëve me spitalet private. Klekovski sqaroi se Fondi lidh kontrata me institucionet shëndetësore private vetëm në fushat ku nuk ka kapacitet publik.

Kujtojmë se, kirurgu kardiolog Sashko Kedev në një intervistë me Kanal 77, deklaroi se në disa spitale private kryhen ndërhyrje të panevojshme për fitim, duke përfshirë stentime dhe operacione të panevojshme. Ai nuk përmendi asnjë spital me emër. Pas deklaratës, spitali privat “Acibadem Sistina” i kërkoi atij të specifikonte se për cilin institucion bëjnë fjalë këto pretendime, duke e paralajmëruar se nëse nuk e bën këtë, do të ngrejë padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit.

Pas këtyre deklaratave, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu tha se po formohet një komision me ekspertë nga tre vende të ndryshme, por jo nga fqinjësia, për të kryer kontrolle në institucionet private shëndetësore, por do të vazhdojë edhe në institucionet publike shëndetësore që merren me të njëjtën çështje.

Aliu tha se menjëherë pas deklaratës së profesor Kedev, u krijua një komision i brendshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, e gjitha me qëllim që të analizohen të gjitha protokollet dhe pistat e mundshme që dolën nga ajo deklaratë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments