17.9 C
Tetovo
E diel, 17 Gusht, 2025
BallinaLajmeKallëzim penal ndaj 59 vjeçarit në Shkup, mori shpërblim prej 10 mijë...

Kallëzim penal ndaj 59 vjeçarit në Shkup, mori shpërblim prej 10 mijë eurosh për të ndikuar në procedura gjyqësore

 Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon procedurë hetimore kundër një personi të dyshuar për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm. Bëhet fjalë për 59-vjeçarin P.G. nga Shkupi, ndaj të cilit është paraqitur kallëzim penal.

Sipas njoftimit nga Prokuroria, i dyshuari gjatë periudhës prill–gusht të këtij viti ka pranuar shpërblim prej 10 mijë eurosh për të ndikuar, siç pretendohet, në vendime të proceseve gjyqësore civile para Gjykatës Themelore Civile Shkup dhe Gjykatës së Apelit Shkup.

Në përshkrimin e rastit thuhet se një dëshmitar-denoncues, i cili është menaxher i një kompanie që kishte proces civil me një palë tjetër, kishte marrë informacione se pala kundërshtare po ushtronte ndikim serioz mbi gjyqtarët duke dhënë ryshfete për të siguruar vendime në favorin e tyre.

Dëshmitari, për të verifikuar informacionet, përmes një të njohuri – ish-gjyqtar në pension – ka marrë kontaktin e të dyshuarit, i cili i ishte paraqitur si “person që i njeh gjendjet në gjykata dhe që është i afërt me gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Shkup”.

“Dëshmitari dhe vëllai i tij janë takuar me të dyshuarin, i cili u ka kërkuar drejtpërdrejt 16 mijë euro për ta mbyllur çështjen në favor të kompanisë familjare të dëshmitarit. Ai i kishte bindur se pala tjetër ofronte shuma më të mëdha, por gjyqtarët nuk donin të merrnin përsipër të vendosnin për diçka që nuk kishte bazë ligjore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Meqë dëshmitari nuk ka mundur të sigurojë menjëherë shumën e kërkuar, ata janë marrë vesh për pagesë në tre këste.

“Më 30 prill, duke menduar se nuk kishte zgjidhje tjetër, dëshmitari i ka dorëzuar të dyshuarit 5 mijë euro. Pas kësaj, i dyshuari e kishte siguruar vazhdimisht se nuk kishte arsye për t’u shqetësuar për rezultatin e çështjes dhe gjatë gjithë kohës kanë qenë në komunikim. Ndërkohë, dëshmitari ka vendosur të denoncojë tregtinë me ndikim dhe gjatë pagesës së dytë prej 5 mijë eurosh, i dyshuari është arrestuar menjëherë pas marrjes së parave”, njofton Prokuroria.

Prokurori publik ka paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Penale të Shkupit propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, duke vlerësuar se ekzistojnë bazat ligjore për një vendim të tillë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments