Koordinatori i grupit të këshilltarëve të BDI-së në komunën e Tetovës, Liridon Disha përmes një postimi u është drejtuar Tetovarëve për dështimet e Bilall Kasamit për katët vite qeverisje në komunën e Tetovës, shkruan Top24
Të dashur qytetarë të Tetovës,
Me datë 09.08.2025 u mbyll një kapitull i rëndësishëm, mandati 4-vjeçar në Këshillin Komunal të Tetovës. Katër vite betejë e vazhdueshme për të mbrojtur interesin e qytetarëve, katër vite përballje të hapura me keqqeverisjen, katër vite ku zëri ynë nuk u ble dhe nuk u hesht.
Ne ishim opozita që nuk bëri kompromis me të vërtetën. Edhe kur ishim vetëm, qëndruam përballë padrejtësive.
Çdo reagim, çdo deklaratë, çdo votë në Këshill, ishte për ju, qytetarët e Tetovës.
Në këto 4 vite, kemi ngritur zërin për:
Rritjen e padrejtë të tatimit në pronë dhe taksave komunale.
Keqmenaxhimin e mbeturinave dhe pastërtisë publike.
Premtimet e pambajtura për projekte kapitale.
Keqpërdorimin e buxhetit dhe mungesën e transparencës.
Gjendjen e mjerueshme të rrugëve, ndriçimit dhe infrastrukturës.
Mospërkujdesjen për arsimin, sportin dhe rininë.
Nevojën për ujësjellës e kanalizime funksionale në çdo lagje e fshat.
Mbrojtjen e pronës publike nga privatizimet e dyshimta.
Përdorimin e pushtetit për interesa partiake, jo qytetare.
Ndotjen e ajrit dhe mungesën e masave konkrete për mjedisin.
Nuk ishim spektatorë të një shfaqjeje të keqqeverisjes, por aktorë aktivë që nuk lejuan heshtjen të bëhet normalitet.
Për këtë angazhim, për mirëkuptimin dhe mbështetjen pa rezervë e falenderoj familjen time, bashkëshorten, nënën dhe dy vajzat e mia. Ishin këto femra të fuqishme, burim energjie dhe motiv për ta vazhduar betejën për Tetovën.
Falënderimi im më i madh shkon për Liderin Ali Ahmeti, i cili më besoi dhe më nominoi për këtë detyrë të nderuar. Ky besim nuk ka qenë privilegj personal, por përgjegjësi për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve tanë. Një falenderim i posaçëm për mbështetjen e vazhdueshme shkon për Sekretarin Gjeneral Faton Ahmetin dhe Degën e BDI-së Tetovë dhe të gjitha Këshillat Vendorë dhe aktivistët partiakë.
Falënderoj secilin prej jush që më keni dhënë fjalë mbështetjeje, keni marrë pjesë në debatet tona, keni ndarë shqetësimet dhe idetë tuaja. Ju ishit forca jonë më e madhe.
Ky mandat mbyllet, por angazhimi im nuk përfundon. Do të vazhdoj të jem pranë jush, duke luftuar për një Tetovë më të pastër, më të drejtë, më moderne.
Sepse Tetova jonë meriton më shumë se fjalë boshe. Meriton punë, ndershmëri dhe rezultate.
Tetovës i kam një borxh të madh të cilin po ia kthej çdo ditë me përkushtim e ndershmëri.
Me respekt, mirënjohje e dashuri,
Dr. Liridon A. Disha