Duke iu referuar planit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahut për një pushtim të plotë të Gazës, Hamasi tha se kryeministri dëshiron të “heqë qafe” pengjet që ende mbahen në këtë territor.Besohen të jenë rreth 50 pengje që Hamasi ende i mban që nga sulmi i 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.
Gjatë fundjavës, Hamas dhe Xhihadi Islamik Palestinez publikuan video ku shfaqeshin dy pengje të dobësuar rëndë.
Por, Hamasi tha se plani i Netanyahut tregon se ai dëshiron t’i “sakrifikojë” ata për të “shërbyer interesave të tij personale”.
Ata gjithashtu thanë se deklaratat e liderit izraelit përbëjnë një “grusht shteti” ndaj negociatave për armëpushim.
Më shumë qartësi për planin e mundshëm të Netanyahut mund të vijë sonte, pasi kabineti i sigurisë së Izraelit do të mbajë një takim për të analizuar propozimin.