Pas nomnimit nga Koalicioni VLEN që ti prij garës për mandatin e dytë për komunën e Tetovës, Billall Kasami përmes profilit të tij në Facebook ka shkruar se Tetovën e gjeti me borxhe të mëdha prej 24 milionë eurosh dhe me shumë mbeturina e punonjës fiktiv.
Siç ka shtuar ai për katër vite e ka kthyer Tetovën në rrugën e duhur por ende jo për ta ndërtuar atë.
Lidhur me këtë, Kasami ka bërë apel për mbështetje nga ana e qytetarëve me qëlimin që mandatin e dytë ta ndërtojë Tetovën
Postimi i plotë i Bilall Kasamit
Të nderuar qytetarë të Komunës së Tetovës,
Kur e mora drejtimin e Tetovës në vitin 2021, e gjeta një komunë të zhytur në borxhe prej 24 milionë eurosh, me llogari të bllokuara, me grumbuj mbeturinash, me jetë kulturore e sportive të shuar, me shumë krim, me infrastrukturë të rrënuar dhe punonjës fiktivë.
Në katër vite punë, misioni ynë ishte ta ndalim këtë degradim dhe ta kthejmë komunën në rrugën e duhur. Rikthyem funksionimin normal të administratës, transformuam ndërmarrjet komunale dhe hodhëm hapat e parë të zhvillimit. Nuk e humbëm mandatin duke u ankuar për trashëgiminë e keqe që na u la, por u përballëm me sfidat dhe vepruam.
Pavarësisht vështirësive, 4 vite na mjaftuan për ta kthyer Tetovën në rrugën e duhur, por jo për ta ndërtuar atë sipas vizionit tonë të plotë. Prandaj, sot zyrtarisht shpall kandidaturën time për mandatin e dytë në Komunën e Tetovës.
Në mandatin e parë shpëtuam Tetovën, në mandatin e dytë do ta ndërtojmë atë. “Tetova Evropiane” ishte ëndrra jonë. Themelin e saj e vendosëm në vitet 2021–2025. Tani është koha për ndërtimin e saj të plotë në periudhën 2025–2029.
Të dashur qytetarë, ju e dini se kam qeverisur gjithmonë së bashku me ju. Komuna ka qenë e hapur për të gjithë. Vizioni është ndërtuar bashkërisht. Tetova është amaneti ynë më i madh dhe ne nuk mund ta lejojmë që ajo të kthehet atje ku ishte.
𝐒𝐨𝐭 𝐣𝐮 𝐟𝐭𝐨𝐣 𝐭𝐞̈ 𝐛𝐚𝐬𝐡𝐤𝐨𝐡𝐞𝐦𝐢 𝐞𝐝𝐡𝐞 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐡𝐞𝐫𝐞̈, 𝐩𝐞̈𝐫 𝐭’𝐢 𝐝𝐡𝐞̈𝐧𝐞̈ 𝐡𝐨𝐯 𝐳𝐡𝐯𝐢𝐥𝐥𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐓𝐞𝐭𝐨𝐯𝐞̈𝐬!