Ndërtimi i shkollës në fshatin Xhermë dhe në lagjen Migjeni mbetet premtim i pa realizuar i Komunës së Tetovës, përcjell Gazeta Express nga Portalb.mk.
Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmend edhe ndërtimin e objekteve të reja shkollore.
Te pjesa e arsimit, konkretisht në faqe 7 thuhet:
“Afatmesëm do të ndërtojmë politika ku të gjithë shkollat fillore të jenë me një ndërrim, duke ndërtuar objekte të reja shkollore në qytet dhe fshatrat e malësisë (në lagjen Migjeni, Sellcë dhe Xhermë)”.
Por, gati se katër vite më vonë prej kur Kasami erdhi në krye të Komunës së Tetovës, shkolla në Xhermë dhe lagjen Migjeni nuk janë ndërtuar.
Nga Komuna e Tetovës nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske për mosrealizimin e këtij premtimi.
Nuk është realizuar as mësimi me një ndërrim.
Përndryshe, shkolla në Sellcë ka filluar të ndërtohet, megjithatë e njëjta nuk pritet të jetë gati për vitin e ardhshëm shkollor.