Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Indi, ku policia ka arrestuar një burrë që drejtonte një “ambasadë të rreme” nga një ndërtesë banimi me qira, pranë New Delhi-t.
Sipas autoriteteve, i dyshuari Harshvardhan Jain, 47 vjeç, kishte ndërtuar një skemë mashtrimi duke u paraqitur si ambasador dhe duke premtuar punësim jashtë vendit në këmbim të parave.
“Ai ka imituar ambasadorë të shteteve të panjohura si ‘Seborga’ dhe ‘Westarctica’,” ka thënë oficeri i lartë i policisë Sushil Ghule, nga forca speciale e Uttar Pradesh, një shtet në Indinë veriore.-Advertisement-
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar automjete me targa diplomatike të falsifikuara, vula të rreme të ministrisë së Jashtme të Indisë, si dhe dokumente me logo dhe simbole të afro 30 shteteve të ndryshme.
Po ashtu, janë gjetur fotografi të manipuluara që e tregonin Jainin me liderë botërorë, të cilat ai i përdorte për të fituar besimin e viktimave.
Jain akuzohet edhe për pastrim parash përmes kompanive fiktive jashtë vendit, si dhe për falsifikim, imitim identiteti dhe posedim dokumentesh të falsifikuara.
Hetimet janë në zhvillim, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbulojnë numrin e viktimave që kanë rënë pre e kësaj skeme të sofistikuar mashtruese.