15.7 C
Tetovo
E mërkurë, 9 Korrik, 2025
BallinaLajmeRama reagon sërish për zaptimin e hapësirave publike, në Theth banorët përleshen...

Rama reagon sërish për zaptimin e hapësirave publike, në Theth banorët përleshen me policinë. Banori shpërthem në lotë: Ikën kursimet e një jete! Ishte e vetmja mënyrë për të mbijetuar

Kryeministri Edi Rama ka reguar sërish lidhur me aksionin ndaj zaptimit të hapësirave publike në të gjithë vendin, ku ka paralajmëruar reforma të reja ligjore.Rama njofton se problemet për “tokat e xanuna në kurriz të komunitetit”, do të adresohen rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit.

Po ashtu, kreu i qeverisë ka njoftuar edhe krijimin e disa reformave të tjera, që kanë të bëjnë me shërbimin me ujë të pijshëm, sistemin e pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor.

“Do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, ka shkruar Rama.

Rama: Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.

Banorët e zonës së Thethit janë përplasur verbalisht me efektivë të policisë së shtetit në tentativën e këtyre të fundit për t’u futur në zonë.

Ata kanë bllokuar rrugën hyrëse të Thethit duke protestuar kundër aksionit të lirimit të hapësirave publike, prej të cilit janë prekur edhe disa prona në zonë.

Ata janë shprehur të revoltuar duke thënë se këto prona përfaqësojnë mundin dhe punën e gjatë të tyre dhe se pa to nuk mund të sigurojnë dot jetesën.

“Nuk kemi bërë asnjë krim, vetëm kemi ndërtuar në shtëpitë e të parëve tanë për të ofruar një shërbim. Kjo që po bën shteti shqiptar është një masakër ndaj nesh. Ne po kërkojmë gjënë më minimale dhe po na mohohet. Nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër”, u shpreh një prej protestuesve.

Nga ana tjetër policia ka paralajmëruar se ndaj tyre do të ketë penalizime për bllokimin e rrugës për automjetet, por ka hasur në rezistencën e banorëve gjithsesi.

Një nga banorët, ka shpërthyer në lot përpara kamerave, duke u shprehur se të gjithë kursimet e një jete, para të marra edhe borxh, janë derdhur pikërisht në këtë biznes, i cili sipas tij ishte e vetmja mënyrë që ai dhe familja e tij të mbijetonin.

“Shpenzimet e gjithë jetës, jam mbytur në borxhe e tashmë po na i prishin të gjitha. Kam shtëpi druri pa beton pa asgjë. I kam vendosur tokën time. Kemi kërkuar leje por na kanë thënë të presim,. Toka është e imja, e trashëguar,. Kërkojnë ndihmë nga shteti që të mos na i prishë. Unë jam i pamundur për të jetuar, kjo ishte e vetmja mënyrë për të mbijetuar. Na ka mbetur veç të vdesim. Nëpërmjet protestës kërkojmë që shteti të na lërë të jetojmë. Kanë thënë vetë që të investojmë, tani nuk na lënë.
Këtu nuk ka asnjë beton, siç kanë thënë ashtu kemi investuar. Tani nuk kam më asnjë para për të investuar”, tha ai.

Banorët e Thethit kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të ndalur prishjet, duke theksuar se kanë investuar në përputhje me kërkesat për ruajtjen e natyrës dhe pa cenuar peizazhin.

Ata e shohin këtë aksion si i padrejtë dhe shkatërrues për jetesën e tyre, në një zonë ku alternativa ekonomike është e kufizuar. Protesta pritet të vijojë, ndërsa tensioni në zonë mbetet i lartë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments