Aleanca për Shqiptarët shpreh indinjatë për valën e fundit të punësimeve në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, ku edhe këtë herë shqiptarët janë përjashtuar në mënyrë sistematike dhe të qëllimshme nga përfaqësimi
Nga fillikmi i muajt dhe deri më tani, në konkursin e fundit të shpallur nga Ministria e Bujqësisë, nga të gjithë të punësuarit – përfshirë këshilltarë shtetërorë, udhëheqës sektorësh, shefa njësish dhe këshilltarë të zakonshëm – asnjë nuk është shqiptar. Rezultati flet vetë: 10 me 0, në favor të ekskluzionit etnik dhe diskriminimit të strukturuar.
E njëjta logjikë e përjashtimit etnik vazhdon edhe në Ministrinë e re të Sportit, ku nga gjithsej 50 të punësuar, vetëm 4 janë shqiptarë, dhe asnjë prej tyre nuk ka pozicion udhëheqës. Alarmi bëhet më i fortë pas raundit të fundit të punësimeve: 15 të punësuar të rinj, asnjë shqiptar.
Po ashtu, vendimi për 32 punësime të reja në Regjistrin Qendror të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët sërish mungojnë, e dëshmon qartë se nuk bëhet fjalë për rastësi, por për diskriminim të pastër institucional. Ky është një shembull flagrant i një praktike që thellon ndarjet, nxit frustrimin dhe e zhbën frymën e barazisë që duhet të jetë themel i një shteti demokratik.