Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti deklaroi se VLEN ende nuk ka konfirmuar kandidaturat për zgjedhjet e ardhshme lokale, pasi procesi i hulumtimit të opinionit publik është në rrjedhë.“Për momentin nuk kemi caktuar emrat, pasi nga ana e VLEN-it janë angazhuar agjenci serioze për të anketuar publikun, ku përpunohen edhe temat, programet por edhe kandidatët e VLEN-it për zgjedhjet e ardhshme lokale. Anketat do të jenë një nga faktorët kryesorë për orientimin e kandidaturave”, deklaroi Mexhiti, pas hapjes së Forumit energjetik në Maqedoni – MEF25 sot në Shkup.
Ai tha se “kampusi shqiptar” në zgjedhjet lokale do të konkurrojë si dy opsione politike.
“Është kristalizuar tashmë, ka dy blloqe në kampusin shqiptar – VLEN dhe BDI, kështu që ne në zgjedhjet lokale do të garojmë si dy opsione politike”, theksoi ai.
Ai shtoi se Arben Taravari tashmë është pjesë e BDI-së dhe pozicionimi i tij politik është i qartë.
“Lidhur me Taravarin, ai tashmë është pjesë e BDI-së, pjesë e atij blloku dhe mund të shihni se nëse më parë ishin listat e veçanta për këshilltarë, që të tërhiqej nga VLEN, ai tashmë i ka harruar ato lista, përkundrazi bashkëpunon me BDI-në dhe përgatiten që së bashku të marrin pjesë në zgjedhje, tha Mexhiti.
Sipas zëvendëskryeministrit, kjo ndarje e opsioneve politike në kampusin shqiptar është e shëndetshme për një shoqëri demokratike.“Sidoqoftë, shqiptarët në Maqedoni kanë dy opsione, konkurrencën përmes platformave dhe programeve dhe mendoj se kjo është e shëndetshme për një shoqëri demokratike”, tha ai.