15.8 C
Tetovo
E hënë, 9 Qershor, 2025
BallinaLajmeBotaLos Angeles, sërish në flakë protestash: Mësimet për Amerikën sot nga kujtimet...

Los Angeles, sërish në flakë protestash: Mësimet për Amerikën sot nga kujtimet e trazirave të vitit 1992

Trazirat e fundit në Los Angeles që detyruan presidentin Donald Trump të urdhërojë ndërhyrjen e Gardës Kombëtare dhe të vërë në gatishmëri edhe Marinsat, kanë shkaktuar shumë më pak dëme krahasuar me ato të vitit 1992. Asokohe qyteti u përfshi për gjashtë ditë nga dhuna, duke lënë pas 63 viktima, mbi 2 mijë e 300 të plagosur dhe mbi 12 mijë të arrestuar.

Edhe pse rrethanat janë të ndryshme, arsyet që çuan në shpërthimin e dhunës kanë ngjashmëri: trajtimi i padrejtë i pakicave dhe mungesa e ndjeshmërisë nga autoritetet.

33 vite më parë, dhuna që shpërtheu kontribuoi në krijimin e një klime për ndryshim politik, e cila pak muaj më vonë çoi në fitoren e kandidatit demokrat, Bill Clinton ndaj presidentit republikan, George H.W. Bush, në garën për Shtëpinë e Bardhë. Për këtë arsye, trazirat e njohura si “protestat e Rodney King”, të emërtuara sipas viktimës që i shkaktoi, mbartin ende sot mësime të vlefshme për Amerikën.

Si nisi gjithçka në vitin 1992

Protestat shpërthyen më 29 prill 1992, kur një juri shpalli të pafajshëm katër efektivë të policisë së Los Angeles të akuzuar për dhunë ekstreme gjatë arrestimit të Rodney King, një afro-amerikan i ndaluar një vit më parë për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur. Rrahja brutale u filmua nga një kalimtar dhe u transmetua pafundësisht në media.

Por tensionet kishin kohë që gëlonin në qytet, të nxitura nga ashpërsia e forcave policore, pabarazia ekonomike dhe përplasjet racore, veçanërisht mes komunitetit afrikano-amerikan dhe tregtarëve koreano-amerikanë. Një ngjarje e rëndë që ndikoi në përshkallëzimin e situatës ishte vrasja e një vajze të re afro-amerikane nga një shitës korean, i cili u dënua lehtë dhe nuk kaloi asnjë ditë në burg.

Gjashtë ditë “ferri” në Los Angeles

Trazirat nisën në lagjen e njohur si “South Central” dhe u përhapën me shpejtësi. Mijëra persona u përfshinë në plaçkitje, djegie dhe dhunë. Zona koreane e qytetit u bë shënjestër e sulmeve, por edhe të bardhët nuk u kursyen.

Policia e qytetit nuk arriti të kontrollonte situatën. U shpall gjendja e emergjencës dhe u vendos ora policore në zonat më të prekura. Guvernatori urdhëroi ndërhyrjen e Gardës Kombëtare dhe më pas u përfshinë edhe njësi të ushtrisë dhe agjencive federale. Dhuna u ndal vetëm kur rreth 10 mijë forca të armatosura u vendosën në rrugë.

Bilanci ishte tragjik: 63 të vdekur, mbi 6300 të plagosur, 12 mijë të arrestuar dhe dëme ekonomike që kapnin shifrën e një miliard dollarëve. “Koreatown” u shkatërrua në masë të madhe.

Pasojat politike dhe sociale

Drejtuesi i atëhershëm i policisë, Daryl Gates, u detyrua të japë dorëheqjen për tolerimin e metodave brutale nga efektivët e tij. Qeveria federale dhe autoritetet vendore alokuan fonde për rindërtimin e zonave të dëmtuara.

Një komision hetimor i quajtur “Vetëm rindërtimi nuk mjafton” nxorri si konkluzion se shkaqet e thella të krizës ishin mjerimi, mungesa e mundësive për punësim dhe arsim, abuzimet nga policia dhe konfliktet etnike mes pakicave, veçanërisht midis komunitetit aziatik më të pasur dhe atij afrikano-amerikan më të varfër.

Sipas një studimi sociologjik, ndërsa trazirat e Watts-it në vitin 1965, që shkaktuan 34 viktima dhe mbi 1 mijë të plagosur, kishin natyrë thjesht racore dhe bashkuan të gjitha pakicat e Los Angeles, ato të vitit 1992 përfaqësojnë gjithashtu një “kryengritje klasore”. Edhe pse shkëndija që i ndezi ishte shpallja të pafajshëm e katër policëve të bardhë për rrahjen brutale të një afrikano-amerikani, trazirat pasqyruan pakënaqësinë e thellë sociale.

Asokohe presidenti Bush e përshkroi ngjarjen si “një akt thjesht kriminal”. Nga ana tjetër, kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Bill Clinton, ndonëse theksoi se një vendim i padrejtë nuk mund të “hakmerret me dhunë të egër”, akuzoi administratën republikane të Bushit dhe paraardhësit të tij, Ronald Reagan për shkurtimet në buxhet, të cilat sipas tij çuan në “një dekadë të rrënimit urban”.

Edhe pse dhuna në dekadat që pasuan ra, pabarazitë sociale dhe ekonomike mbetën të mëdha. Në vitin 2004, loja e famshme “Grand Theft Auto” rikrijoi trazirat e vitit 1992 përmes një qyteti të trilluar të quajtur Los Santos, që paralelizon Los Angeles-in.

Trazirat e viteve ’90 vazhdojnë të përmenden si një sinjal paralajmërues për atë që ndodh kur drejtësia dhe barazia mungojnë. Dhe mësimet e tyre mbeten aktuale edhe për Amerikën e sotme./tvklan.al

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments