PRISHTINË – Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari spiunazhi në bashkëpunim me shërbimin sekret serb. Lajmin e konfirmoi vetë kryeministri Albin Kurti, i cili theksoi se këto raste janë dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e vendit.
Sipas njoftimit, tre nga të arrestuarit janë shqiptarë dhe dy të tjerë serbë. Ata akuzohen për bashkëpunim me strukturat e inteligjencës serbe në aktivitete që përfshijnë:
Përpjekje për rishkrimin e historisë dhe njollosjen e luftës së UÇK-së;
Mohimin e masakrës së Reçakut;
Infiltrime në organizata ndërkombëtare dhe qarqe ekstremiste fetare, me qëllim dëmtimin e sigurisë dhe imazhit të Kosovës.
Kryeministri Kurti bëri me dije se një nga të dyshuarit, me inicialet A.V., ka pranuar fajësinë pas përballjes me provat e paraqitura nga autoritetet hetimore.
“Rastet dëshmojnë përpjekjet e Serbisë për të minuar sigurinë tonë, përmes infiltrimeve dhe manipulimit të narrativës historike,” u shpreh Kurti në deklaratën e tij publike.
Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, ndërsa institucionet kosovare theksojnë vendosmërinë për të mbrojtur integritetin shtetëror dhe rendin kushtetues.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.