Garancia Evropiane për Fëmijën si një mekanizëm i BE-së për parandalimin e varfërisë dhe përjashtimit social është veçanërisht e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, ku çdo i treti fëmijë jeton në varfëri, apeloi sot (14 maj) Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani.
“Kjo është një shkallë dukshëm më e lartë se shkalla e përgjithshme e varfërisë në mesin e popullsisë së përgjithshme. Veçanërisht të prekshëm janë romët, fëmijët që jetojnë me një prind dhe ata që jetojnë në familje me tre ose më shumë fëmijë. Të dhënat mbi varfërinë e fëmijëve janë alarmante dhe tregojnë nevojën për masa urgjente dhe efektive”, tha Limani në fjalimin e tij në konferencën “Garancia për Fëmijë – një instrument për zhdukjen e varfërisë dhe përjashtimit të fëmijëve”.
Duke iu referuar Planit Kombëtar të Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve 2025-2029, ministri theksoi se një nga prioritetet është rritja prej 15 përqind e ndihmave financiare të destinuara për fëmijët. Ai thotë se po punohet për të zgjeruar kapacitetet e arsimit parashkollor në mënyrë që më shumë fëmijë të kenë mundësinë të ndjekin kopshtin dhe kështu të sigurohen shanse më të mira për sukses në nivelet e ardhshme të arsimit.
“Për të kapërcyer sfidat, Qeveria, me mbështetjen e BE-së dhe UNICEF-it, ka zhvilluar një Plan Kombëtar Veprimi për të Drejtat e Fëmijëve 2025 – 2029, i cili është në fazat e fundit të miratimit. Një nga prioritetet e Planit është ulja e varfërisë së fëmijëve, duke përfshirë futjen e Garancisë Evropiane për Fëmijë, si dhe një rritje prej 15 përqind të ndihmave financiare për fëmijët”, shtoi Limani.
Një masë tjetër e rëndësishme e parashikuar nga Plani Kombëtar i Veprimit është krijimi i një komisioni për të koordinuar të gjitha aktivitetet dhe politikat që do të monitorojnë përmbushjen e detyrimeve sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijëve dhe do të përgatisin raporte për mekanizmat ndërkombëtarë dhe rajonalë të të drejtave të njeriut.
Komisioni pritet të përmirësojë bashkëpunimin ndërsektorial që është i nevojshëm për të adresuar nevojat komplekse të fëmijëve dhe për të zhvilluar shërbime të integruara për ta si një pjesë integrale e garancisë për fëmijë.
Kujtojmë se trafikimi i fëmijëve, shfrytëzimit seksual, trafikimi i fëmijëve me qëllim shfrytëzimi për punë, martesat e detyruara ekspolatimi i punëtorëve dhe lypja janë në rritje në Maqedoninë e Veriut, tregon Studimi i mbështetur nga veprimi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Në studim thuhet se numri më i madh i viktimave të zbuluara në 5 vitet e fundit janë fëmijët viktima të martesave të detyruara.