12.8 C
Tetovo
E shtunë, 26 Prill, 2025
BallinaLajmeBE ka ndarë 15 milionë euro ndihmë shtesë për Armatën e Maqedonisë...

BE ka ndarë 15 milionë euro ndihmë shtesë për Armatën e Maqedonisë së Veriut

Këshilli i Bashkimit Evropian sot mori vendim për ndarjen e 15 milionë euro ndihmë shtesë në kuadër të Instrumentit Paqësor Evropian (IPE) për fuqizim të kapaciteteve të mbrojtjes dhe aftësive të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe gatishmërisë së saj operative, informon korrespodenti i MIA-s nga Brukseli.

“Sot u pajtuam që t’i sigurojmë Maqedonisë së Veriut mbështetje shtesë nga BE-ja në vlerë prej 15 milionë euro për Armatën e saj”, deklaroi në lidhje me vendimin përfaqësuesja e lartë e Punëve të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë, Kaja Kallas.

Ajo shtoi se këto mjete do të shfrytëzohen për furnizim të pajisjes së ndryshme – nga ajo e dedikuar për grumbullimin e informacioneve të inteligjencës dhe për mbikëqyrje, deri në atë për nevojat e trajnimit luftarak.

“Mbështetja jonë do t’i ndihmojë Maqedonisë së Veriut të kontribuojë drejt qëndrueshmërisë dhe sigurisë rajonale, që është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për BE-në”, bëri të ditur Kallas.

Sipas saj, me mbështetjen për vendin të dedikuar për përballje me konflikte dhe për fuqizim të qëndrueshmërisë rajonale, Unioni tregon se “plotësisht e mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE”.

“Me padurim e pres vizitën time të parë në muajin e ardhshëm që më shumë të bisedojmë për agjendën tonë të përbashkët”, shtoi Kallas në deklaratë.

Siç bëri të ditur Këshilli i BE-së, me pakon e sotme dhe me pakot dypalëshe për mbështetje në vitin 2023 dhe 2024, ndihma e përgjithshme nga Unioni për vendin në kuadër të Instrumentit Paqësor Evropian arriti 38 milionë euro.

“Vendimi i sotëm tregon angazhimin e vazhdueshëm me Maqedoninë e Veriut në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë nënshkrimin e Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje BE-Maqedoni e Veriut nëntorin e kaluar, dhe pasqyron përputhjen e plotë të vendit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, thuhet në kumtesë.

Me mjetet e ndara sot përmes IPE -së, Armata e Maqedonisë do të pajiset me pajisje inteligjence, mbikëqyrjeje dhe zbulimi dhe luftë elektronike, si dhe me automjete shërbimi dhe inxhinierike, sisteme komunikimi dhe informacioni dhe pajisje trajnimi luftarak, dhe, nëse është e nevojshme, do të organizohet trajnim operativ për përdorimin e tyre.

“Masa e re për ndihmë, gjithashtu, do ta rrisë potencialin e Maqedonisë së Veriut që të kontribuojë në operacionet dhe misionet e politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes të BE-së dhe në të gjitha koalicionet ndërkombëtare”, shtohet në kumtesë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments