Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka ashpërsuar tonet ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke e akuzuar atë për keqpërdorim të pushtetit dhe për zvarritje të qëllimshme të procesit të formimit të institucioneve pas zgjedhjeve.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se LVV po pengon konstituimin e Kuvendit përmes “keqinterpretimit ligjor dhe kushtetues”, duke rrezikuar, sipas tij, rendin demokratik në vend.
“Mënyra e zgjedhur e veprimit politik në emër të keqinterpretimit ligjor dhe kushtetues për konstituimin e Kuvendit nga partia fituese LVV është një kërcënim serioz për demokracinë e vendit tonë”, ka shkruar ai.
Sipas Haradinajt, veprimet e LVV-së në mungesë të numrave për krijimin e institucioneve po çojnë vendin drejt një “grushti shteti”, meqë individë me mandat të skaduar po vazhdojnë të marrin vendime dhe të ushtrojnë pushtet në mënyrë të paligjshme.
“Ngarkimi dhe ushtrimi i pushtetit pa mandat ligjor e kushtetues nuk mund të quhet ndryshe veçse një grusht shteti. Arsyetimet rreth vakumit institucional, përderisa shteti ka Zëvendëskryeministër, ministra dhe zëvendësministra për secilën ministri, janë të pabaza dhe nuk qëndrojnë aspak. Mjaft më me mashtrime, bllokime e izolim të vendit”, ka përfunduar Haradinaj.