“Trishtimi është edhe më i vështirë kur e dimë se nuk është si pasojë e fatit, por pasojë e korrupsionit”, “Ku mund të gjejmë lidhje për të rikthyer viktimat?”, “Papritmas heshtja u bë më e fortë se çdo ulërimë”, ishin vetëm disa nga pankartat me të cilat qindra qytetarë në Veles i nderuan sot viktimat në fatkeqësinë e Koçanit, transmeton Portalb.mk.
Qytetarët ndezën qirinj për nder të viktimave dhe vendosën lule në Parkun Rinor.

Në tragjedinë në Koçan të ndodhur të shtunën në diskotekën “Pulse”, kanë humbur jetën 59 persona. Në total, 178 pacientë të lënduar aktualisht po trajtohen në ambiente të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Prej tyre, 64 janë në spitale anembanë Maqedonisë, 13 prej tyre janë në spitale private. 101 pacientët kurohen jashtë Maqedonisë.

Solidarizim për 59 viktimat që u dogjën në klubin e natës në Koçan kanë shprehur edhe qytetarët e Kumanovës, Gostivarit, Shkupit, Strugës dhe Koçanit.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.