-6.6 C
Tetovo
E mërkurë, 19 Mars, 2025
BallinaOpinionDilaver Goxhaj / LUFTA E MASHKULLORËS - 18 Mars 1908 -Kohë burrash...

Dilaver Goxhaj / LUFTA E MASHKULLORËS – 18 Mars 1908 -Kohë burrash që mbi gjithçka kishin kombin

Çeta e vëllezërve Bajo e Çerçiz Topulli dimrin e vitit 1906 e kish kaluar në Sofje. Gjatë kohës që ishin në Bukuresht, me ta ishte bashkuar edhe Mihal Gramenoja, një emigrant që jetonte që prej 20 vjetësh në Rumani. Pas shumë peripecish, çeta kishte mbërritur në Brindizi dhe tani priste rastin e duhur për t’u kthyer në Atdhe.
Në ditët e para të prill të 1907 peshkatarët e Brindizit çuditeshin me një grup burrash, të veshur çuditshëm, (me kostumin kombëtar të Labërisë), gjithnjë të shqetësuar, me flokë e mjekra të gjata, që silleshin rrotull një anijeje të vjetër e të vogël me vela, në pritje që të qetësohej deti. Këta ishin Mihal Grameno, Çerçiz Topulli dhe pjestarët e tjerë të çetës, të cilët po prisnin të qetësohej deti për të zbarkuar në Shqipëri, për të ndezur flakën e kryengritjes popullore antisomane.
Ndërsa komitët e Çerçizit prisnin me padurim qetësimin e Adriatikut, Bajo Topulli, kishte marrë një udhë tjetër, i cili nëpërmjet Francës do të përfundonte deri në SHBA. Bajua ishte një ndër veprimtarët e komitetit të fshehtë për “Lirinë e Shqipërisë”, i cili ishte krijuar në Manastir që në 1904.
Më 16 maj 1907 kapiteni ulqinak Ahmet e solli çetën në Shqipëri. Ajo zbarkoi diku në afërsi të Vunoit ku dhe lanë një pjesë të Abetareve të Gjuhes Shqip të shtypura në Bukuresht, për t’u shpërndarë në popull.
Për shumë kohë me radhë Çerçiz Topulli dhe njerëzit e tij u endën pa ndonjë qëllim të caktuar në malet e Jugut, që nga Bregdeti, Kurvelesh e deri në Prespë e Devoll. Gjatë kësaj kohe, me komitët u bashkuan edhe disa anëtarë të rinj.
Deri nga fundi i vitit 1907 ata sulmuan ndonjë karvan postar apo shkrehën ndonjë batare, sa për të larguar ushtarët që u binin në erë gjatë rrugëtimit të tyre të gjatë.
Në janar 1908 çeta ishte strehuar në manastirin e Jorgucatit, në Dropull. Manastiri ishte i sigurt, ishte lart në mal dhe prej tij kontrollohej e tërë lugina. Çeta ruhej nga një roje nga fshati Lazarat, Çeloja, dhe nga një xhandar shqiptar, që u miqësua shumë shpejt me komitët.
Pikërisht, kur në manastir ishte strehuar çeta, Komiteti i Gjirokastrës “Për Lirinë e Shqipërisë” merr vendimin për vrasjen e Bimbashit, (boshnjaku Halil Musa Beu, ishte komandant i xhandarmërisë në Gjirokastër), i cili ishte treguar shumë mizor me shqiptarët. Detyra iu caktua çetës së Çerçizit.
Komandantit të çetës urdhrin për zbatimin e atij vendimi ia solli vetë Idriz Guri, një tjetër patriot i njohur gjirokastrit.
Çeta u vendos në Kocullë, mbi Gjirokastër.
“Dy herë shkuan në Gjirokastër Harejdini dhe Asllani, për të vrarë Bimbashin, po mjerisht nuk patën fatin, meqenëse nuk e gjetnë. Kur deshnin të vinin të tretën herë, na ngjaJti një episodë – tregon Mihal Grameno. – Labët, domethënë shokët tanë, kishin biseduar veçmas e kishin vendosur që Bimbashin ta vrasin labët, se e kishin për turp ta vrisnin Bimbashin në Gjirokastër të Labërisë toskët dhe jo labët! Domosdo e pranuam këtë vendim, edhe këtë barrë e muarrë përsipër Hito Lekdushi me Bajram Prongjinë.”
Bimbashi ruhej mirë. Herën e tretë, këtë punë e morën në dorë labët, Hito Habibi nga Lekdushi dhe Bajram Ligu nga Prongjia.
Në 25 shkurt të 1908, ditë pazari, dy atentatorët, të veshur si tregtarë, hynë në rrugën “Haz Murat”, ku kalonte përditë Bimbashi. Të dy trimat kishin zënë pusi dhe kryen vrasjen e tij. Hitua neutralizoi rojen e tij duke e qëlluar në dorë, ndërsa Bajrami qëllon me tre plumba Bimbashin, i cili ra përdhe i mbytur në gjak
Komitët e tjerë kishin zënë pozicione rreth e rrotull që të mbulonin ikjen e dy guximtarëve.
Ky ishte aksioni i parë që bëri jehonë jo vetëm në Gjirokastër, por edhe përtej kufijve të Perandorisë Osmane se, ishte vrasja e Bimbashit në shkurt të vitit 1908 nga çeta e Çerçiz Topullit.
Në ora 11.15’ Bimbashi kishte ndëruar jetë, ndërsa pjesëtarët e tjerë të çetës vazhdonin të qëllonin mbi godinën e xhandarmërisë, komanda e së cilës ishte ku nddhet sot kinemaja e madhe e qytetit.
Pas dy orësh çeta ishte vendosur në Mashkullorë, me siguri do të kenë kaluar në hijen rrapit të madh që tashti është shembur nga vjetërsia, ku është mbjellë një rrap tjetër.
Pas tri ditësh, çeta u nda në dy pjesë, për t’i manovruar më mirë ndjekjeve.
Çerçiz Topulli, atëhere 28 vjeç, vetë i shtatë, qëndroi në Mashkullorë. “Çerçizi dhe ne u vendosëm në Mashkullorë – shkruan Mihal Grameno – që të mirrte Zemani shëndet nga shtëpia, edhe ca më tepër të merrnim duhan, se kishim mbetur pa cigare. Qëndruam dy orë edhe u ngrohmë pakëzë edhe deshnim të shkonim, po një errësirë e madhe me erë të marrë edhe me shi, si edhe nën sigurimet e MIrtes, ati i Zemanit, që nuk ka ndonjë rrezik, na shtrënguan edhe na bindën të qëndrojmë atje. Ishte thënë prej Zotit që të nderohen armët e Shqipërisë”.

Lufta e shndërruar në legjendë

Të martën, duke u gdhirë e mërkurë, më 18 mars 1908, Çerçiz Topulli brofi në këmbë dhe lëshon atë shprehjen tashmë të bërë legjendë: “O burrani, shokë, se na rrethosi ushtria!”’
Çeta braktis me të shpejtë shtëpinë dhe lëshohet në një përrua për të dalë deri te një haur i braktisur, ku zë pozicione. Çeta atë ditë ishte me pesë vetë. Më 18 mars 1908 forcat turke nisën sulmin kundër çetës së Çerçiz Topullit. Pavarësisht numrit shumë herë më të madh të ushtarëve osmanë, prej 150 vetë, çeta e përballoi trimërisht rrethimi, i cili vazhdoi nga ora 7 e mëngjesit deri në të ngrysur. Më në fund çeta e Çerçiz Topullit mundi të çante rrethimin.
“Çerçizi, – shkruan Mihal Grameno – zbathur, lakuriq, kokëjashtë, me leshrat përpjetë vërtitej në të gjitha anët si një komandant i madh, me pushkën në dorë dhe gjashtoren në dhëmbë duke na trimëruar neve dhe duke qëlluar mbi ushtarët. Fytyra e tij, këtë ditë, ishte më e qeshur se kurdoherë, edhe jo sikur luftonte, por sikur kërcente.”
Vetëm vonë, duke përfituar nga errësira e natës, çeta mundi të çajë rrethimin. Forcat turke humbën rreth 20 ushtarë, përfshirë gjeneralin e tyre. Në mes të ushtarëve osmanë të vrarë ishte edhe kallauzi, tradhtari që i tregoi ushtrisë vendin ku strehohej çeta. Kryengritësit shqiptarë humbën vetëm një luftëtar, Hajredin Tremishti, si dhe u plagosën Çerçiz Topulli dhe Myftar Axhemi.
Çeta u tërhoq në fshehtësi, duke ecur nëpër lumë dhe mbërriti në një çiflig të Dino Çiços, mik i Topull-arëve. Këtu jetonte një “evgjit” me të shoqen. “Të uritur, iu shtruam tryezës dhe hëgrëm një tenxhere plot me fasule, të cilat ndofta evgjitërit i kishin përgatitur për një javë që ta hanin me fëmijën. Kurrë dhe kurrë do të mos e harroj, se në jetën time kurrë nuk mbaj mend që të kem ngrënë me shije kaq të madhe…”, shkruan komisari i çetës, Mihal Grameno.
Kjo luftë njihet si Lufta e Mashkullorës, e cila shënoi një hap tjetër në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, që parashikonte edhe kryengritjen e armatosur si mjet për të arritur qëllimet e veta politike.
Çerçiz Topulli, Mihal Grameno dhe të tjerët e vazhduan jetën e kaçakut ndër male, deri në shpalljen e Kushtetutës Xhonturke të 1908-s, pak kohë pas Luftës së Mashkullorës. Atëherë secili shkoi në punë të vet. “Në Selanik – i mbyll kujtimet e tij Gramenoja – ndejtëm 10 ditë, pastaj duhej të shpërndaheshim. Bajo me Çerçizin e shokët e tjerë shkuan me vapor për në Gjirokastër, ndërsa unë i mbetur si i shkretë, mora udhën për në Korçë. Lotët na derdheshin çurkë si lumë, kur u puthmë dhe u ndamë e së bashku kishim shkuar si vëllezër, afër dy vjet, nëpër malet e bukura të së dashurës Shqipëri”.
Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër më 1880. Ishte komit i dëgjuar, njeri me shumë ndikim në zonat rreth Gjirokastrës, rreth Kurveleshit dhe rreth Shqipërisë Juglindore. Ishte vëllai i Bajo Topullit, atdhetar i shquar. Prindërit e tyre ishin Ago Topulli dhe Hasije, e bija e Laze Mullait nga Prongjia e Kardhiqit.
Të dy këta vëllezër, bashkë me Mihal Gramenon, duke qenë në Sofje, krijuan në verën e 1907-s një çetë kryengritësish, që kishte për detyrë nxitjen e kryengritjes antiosmane në Shqipërinë e Jugut në 1908-n.
Çerçiz Topulli dhe çeta e tij u shndërrua në legjendë pas rezistencës që i bënë ushtarëve osmanë në fshatin Mashkullorë, më 18 mars të 1908. Në verën e të njëjtit vit, Çerçizi tentoi, por pa rezultat, të shtinte në dorë Korçën. Pas këtij momenti e deri në momentin e rënies së qeverisë së Princ Vidit ai iu kushtua lëvizjes patriotike dhe përhapjes së shkollave shqipe në krahinat e Jugut. Në 1914 u strehua, si shumë politikanë të tjerë shqiptarë në Shkodër, ku bashkëpunoi me Muço Qullin në botimin e gazetës “Populli”. U vra në Fushën e Shtojit, në Shkodër, nga trupat malazeze, më 15 korrik 1915. Ishte vetëm 35 vjeç.

Mihal Grameno ishte nga Korça. Ai lindi në janar të 1871. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Emigroi që herët në Rumani, ku u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare. Në moshën 28-vjeçare ishte sekretari i shoqërisë patriotike shqiptare “Drita”. Në 1907 iu bashkua çetës së Çerçizit me shokë dhe bëri jetë prej komiti. Më pas ishte drejtues gazetash në Korçë. Nga 1915 e deri në 1919 emigroi në Amerikë. Ishte njëri nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris. Mihal Grameno ka lënë pas edhe shumë krijime letrare me frymë patriotike. Vdiq në Korçë nga shkaqe natyrale, më 1931, në moshën 61 vjeçare.

Bajo Topulli ishte një nga nëntë vëllezërit e Çerçizit. Kishte lindur po në Gjirokastër në 1869. Në 1905 ishte nëndrejtor i gjimnazit turk të Manastirit. Në nëntor të këtij viti ishte njëri prej nismëtarëve të krijimit të Komitetit të fshehtë paraushtarak që quhej “Për lirinë e Shqipërisë”. Nga ky komitet u krijuan degë në Korçë, në Kolonjë dhe në Gjirokastër. Në mars të 1906 ishte në krye të një çete të armatosur, që vepronte në zonën e Korçës. Pikërisht kjo çetë ekzekutoi në shtatorin e 1906 peshkopin e atëhershëm grek të Korçës Fotin. Peshkopi akuzohej si nxitësi kryesor i vrasjes së priftit patriot Papa Kristo Negovani. Edhe kjo ngjarje është përjetësuar në këngë labe:

Dy djema nga vendi ynë,
Bajua me gjithë Çerçizë,
Në Korçë ç’e zunë pusinë,
Vranë Dhespot mjekëzinë,
O Dhespot ç’ta bënë mirë
Se punoje për Greqinë,
Edhe jo për Shqipërinë.

Deri në shpalljen e Kushtetutës osmane, në 1908, Bajo Topulli ishte njëri ndër veprimtarët më të njohur të lëvizjes patriotike shqiptare. Për disa kohë, pas shpalljes së Pavarësisë, jetoi jashtë vendit. Në 1923 kthehet në Gjirokastër, qytet i cili në 1925 e zgjedh Kryetar Bashkie. Jep dorëheqjen për arsye shëndetësore në 1928 dhe vdes dy vjet më vonë në Sarandë.
Lufta e Mashkullorës është pasqyruar gjerësisht edhe në fushën e këngëve popullore ne polifoni si p.sh. “Hyri prilli doli marsi” dhe kënga tjetër “Te Rrapi në Mashkullorë” të cilat e kanë përjetësuar Luftën e Mashkullorës.

Doli shkurti, hyri marsi,
Gjirokastër u vra Bimbashi.
Nga Janina vjen mazapi.
Në Mashkullorë te rrapi.

Te rrapi në Mashkullorë,
Foli Çerçizi me gojë:
Mulazim largo taborë,
Leri djemtë e mi të shkojnë
Se ju skuq, ju bëj me bojë!
Çerçis Topolli më thonë.

Çerçis vranë Hajredinë.
Mirë bënë që e vranë,
Hakën s’ia lëmë pa marrë,
Në nizamë e në ushtarë.

Ne vitin 1979 është prodhuar filmi shqiptar me titull “Liri a vdekje”.
Nga Dilaver Goxhaj
16 mars 2025

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments