Nga Aleanca për Shqiptarët-krahu i Selës, kanë reaguar pas pas zhvendosjes së gjeneralit Besnik Emini nga posti i Komandantit të Komandës së Operacioneve. Nga ASH-Sela thonë se dje presidentja Siljanovska avancoi gjeneralin, Orce Jordev, i cili sipas ASH-së ka lidhje me strukturat ruse.
“Pasi degraduan gjeneralët shqiptarë, avancuan kuadrot e Beogradit dhe bashkëpunëtorët rus. Presidentja Gordana Siljanovska, dje gradoi gjeneralin Orce Jordev në komandant të dytë të Ushtrisë. Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, ndërsa Jordev nuk mori certifikatën e NATO-s katër vjet më parë, sepse ishte i lidhur me strukturat ruse përmes “Ujqërve të Natës”.
Para pak kohësh, për komandant të Brigades së Parë vendoset Dejan Çiplakovski, i cili gjithashtu promovohet edhe në gjeneral, ndërsa shkollimin më të lartë ushtarak (skolo za nacionalna odbrana) e ka kryer në vitin 2018 në BEOGRAD! Gjatë ditës së djeshme me urdhër të Presidentes Siljanovska, Gjeneral Besnik Emini, nga pozita e Komandantit të Komandës së Operacioneve (nga kjo pozitë, drejtpërdrejt komandonte rreth 80% të ushtrisë), ndrohet, degradohet dhe denigrohet, duke u vendosur në një pozitë administrative në Ministrinë e Mbrojtjes. Derisa e gjithë kjo “masakër” po ndodh në Armatën e RMV-së, koalicioni i 5 partive Vlen merret me tendera dhe interesa miskine. Kujtojmë opinionin se ky nuk është degradimi i vetëm i shqiptarëve në strukturat më të larta shtetërore, pasi nga ardhja e Qeverisë jolegjitime dhe monoetnike, shqiptarët u larguan dhe degraduan edhe nga shërbimet e sigurisë, Agjencia për Zbulim, Shërbimi ushtarak i Zbulimit dhe Sigurisë, si dhe një sërë institucionesh të tjera të rëndësishme”, thonë nga ASH.