63.252 denarë i duhen një familje katër anëtarëshe për të mbuluar shpenzimet për një muaj, konkretisht për muajin Janar 2025
Sipas përllogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave, shporta minimale sindikale për këtë muaj është rritur për 391 denarë kundrejt muajit dhjetor e cila arriti 62.861.
“Ajo që është shqetësuese është se nga fillimi i vitit të kaluar deri në këtë vit, ose gjatë këtyre 12 muajve, vlera e shportës minimale sindikale kur kemi të bëjmë me ushqimin dhe pijet është rritur me 10.43%. Për qytetarët, me dështimin e fundit për uljen e çmimeve nga këta tregtarë lakmitarë, rezulton se kostoja është rritur me të paktën 20%, duke marrë parasysh që rritja 10% dhe mosulja 10%, nëse i mbledh, ne jemi më të varfër me të paktën 20%”, u shpreh Sllobodan Trendafilov, LSM.
Sipas Trendafillovit, për një vit, shporta minimale e konsumit është rritur për 6.989 denarë, ose 10,65%. Ai shtoi se LSM do të bëj të gjitha përpjekjet për të siguruar llogaritë përfundimtare të tregtarëve se si pasurohen në kurriz të qytetarëve.
“Ne si LSM po mendojmë të ndërmarrim hapa seriozë dhe në këtë drejtim t’u tregojmë qytetarëve se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Duke pasur parasysh se të gjithë e dimë se në muajt e fundit këta tregtarë janë dëshmuar se janë shembull shumë më i keq për ekonominë e vendit, veçanërisht nëse dihet se vitin e kaluar kanë pasur fitime të mëdha. Edhe këtë vit LSM do të mundohet të siguroj të gjitha llogaritë përfundimtare të këtyre qendrave të mëdha tregtare dhe dyqaneve zinxhir për të parë se si ato po pasurohen në mënyrë të pajustifikueshme në kurriz të qytetarëve dhe punëtorëve”, theksoi Sllobodan Trendafilov, LSM.
Trendafillov kujton se nëse një familje prej katër anëtarësh ka të ardhura prej dy pagash minimale, do t’i mungojnë mbi 18 mijë denarë për të përballuar jetesën gjatë muajit. Nëse familja jeton në shtëpi me qira, shpenzimet do t’u rriten në 78.627 denarë në muaj.