Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE kanë nënçmuar punën e punëtorëve dhe kanë ulur standardin e jetesës së qytetarëve, deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Është turp të kemi një buxhet rekord për këtë vit, që arrin 6 miliardë euro, dhe të mos ketë para për rritjen e pagave të punëtorëve. Qeveria, në vend që të vazhdonte sistemin e rritjes së vazhdueshme të pagave, që u implementua nga LSDM-ja, në mënyrë të papërgjegjshme e ndërpreu atë, gjë që rezultoi me përkeqësimin e standardit të jetesës së punëtorëve”, deklaroi Filipçe.
Ai shtoi se LSDM-ja ka qenë dhe gjithmonë do të mbetet në anën e punëtorëve. Sipas tij, edhe në krizat më të mëdha, siç ishin pandemia shëndetësore dhe kriza ekonomiko-energjetike, LSDM ka punuar për mbrojtjen dhe përmirësimin e standardit të jetesës së punëtorëve, ndërsa pagat janë rritur.