A e kishte fjalën kryeministri Hristijan Mickoski për gjykatësin kushtetues Osman Kadriu kur tha se një gjykatës i Gjykatës kushtetuese duhet të japë dorëheqje për shkak se ka dhënë deklaratë në lidhje me kauzën shqiptarë. Ai këtë e deklaroi në emisionin e mbrëmshëm të Click Plus, ku foli për seancën e javës së kaluar të Gjykatës kushtetuese, ku u soll vendim që të mbahet seancë përgatitore për Ligjin për gjuhën.
“Të thotë gjykatësi kushtetues atë që e tha në lidhje me kauzën shqiptare dhe ngjashëm me atë, nuk e ka vendin aty. Më falni, nuk e ka vendin aty. Ai deklarata të tilla mund të thotë në vend tjetër. Duhet urgjentisht të japë dorëheqje për shkak se ai pagë merr nga unë. Ai nga unë merr pagë, njëjti si edhe nga ju, njëjti si edhe nga të gjithë qytetarët. Kjo nuk është e ndershme. Të luani me ndjenjat e qytetarëve. Të luani me ndjenjat, me pikën më të dobët, të luani me ndjenjat”, tha Mickoski.
E pyetëm gjykatësin Kadriu çfarë mendon për deklaratën e tillë të Mickoskit dhe a vlerëson se deklarata e tillë është e adresuar deri te ai. Tha se nuk ka dëgjuar çfarë ka thënë kryeministri, po se i respekton qëndrimet e të gjithëve. Megjithatë shtoi se nuk do të parashtrojë dorëheqje.
“Nuk e kam dëgjuar deklaratën e të respektuarit kryeministër Mickoski, e dyta, çdo herë kur bëhet fjalë për deklarata politike unë përmbahem që të jap komente mbi këto deklarata, dhe e treta, unë e vlerësoj të drejtën e mendimit, kjo është e drejtë e garantuar me Kushtetutë, çdokush mund të japë mendimin e vet, qëndrimin e vet, pavarësisht nëse më pëlqen ose jo, unë i çmoj të gjitha mendimet që dallojnë nga të miat”, tha Osman Kadriu.
Zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti në Dailly Click në TV21 tha se para seancës në Gjykatën kushtetuese ka pasur një lloj presioni që gjykatësit të veprojnë me vetëdije. Thirrëm që këtë çështje ta trajtojnë si çështje juridike por edhe politike që lidhet me gjendjen aktuale por edhe me të ardhmen e shtetit, tha Mexhiti i cili shtoi se për këtë çështje janë të unifikuar si qeveri.
Në seancën e gjykatës kushtetuese ku në rendin e ditës ishte ligji për gjuhët, u soll vendim që në vend të parë të mbahet seancë përgatitore ku do të marrin pjesë ekspertë, përfaqësues të Komisionit të Venecias si dhe ata që e dorëzuan iniciativë, për të debatuar për këtë ligj. Të dy gjykatësit shqiptar, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari nuk morën pjesë në seancën që u mbajt të mërkurën.