Nëse ndonjë ish-zyrtar i BDI-së nuk ka punuar sipas ligjit, është punë e organeve të drejtësisë që ta ndjekin, por jo e kryeministrit që flet për këto çështje, tha shefi i grupit parlamentar të Frontit Europian Blerim Bexheti, duke komentuar deklaratën e Mickoskit se disa zyrtarë të lartë të BDI-së janë nën hetim. Sipas Bexhetit, ky është narrativ antishqiptar të cilin Mickoski e shfrytëzon për ta shpërqendruar vëmendjen.
“Nuk është e shëndetshme as për atë dhe as për tentativën për defokus që ndodh ndaj këtij narrativi antishqiptar, të mbulojë dhe të tentojë, që mendoj se është pjesë e atij narrativi, sikurse shqiptarët janë të kriminalizuar apo që kanë bërë shkelje të ligjit. Gjithkush që ka bërë shkelje të ligjit duhet të jetë i kapshëm dhe i qasshëm para organeve të rendit, por jo me atë narrativ që të mbulojë defokusin duke mos respektuar as ligjet po as frymën që buron nga Marrëveshja e Ohrit”, deklaroi Blerim Bexheti – deputet i BDI/FE.
Jo më larg se dje, kryeministri Hristijan Mickoski zbuloi se aktualisht janë hapur raste kundër funksionarëve të BDI-së. Akuzoi se integristët kanë strategji që të hapin tema etnike që ta ndajnë popullsinë dhe ta tërheqë vëmendjen nga, siç tha, krimet e kryera, por shtoi se qeveria nuk do ta lejojë këtë.