Gazetari dhe analisti shqiptar Artur Zheji ka komentuar përfshirjen e ish-zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, në listën e zezë të SHBA-së, duke e cilësuar këtë si një ndëshkim për mbështetjen që Grubi i ka dhënë figurave proruse në rajon.
“Kur faktori shqiptar, kudo që ndodhet, devijon nga platforma e faktorizimit shqiptar dhe i shërben interesave personale apo grupeve të dyshimta, i priten duart. Grubi, për interesa të veta apo nën shantazh, mbështeti Mijallkovin, një figurë që amerikanët e konsiderojnë si kolonën e pestë të shërbimeve sekrete ruse në Maqedoni,” tha Zheji.
Ai nënvizoi se Mijallkovi, një nga figurat kryesore të ndikimit rus në Ballkan, është parë si një kërcënim i drejtpërdrejtë për interesat strategjike të SHBA-së në rajon. “Vendimi i SHBA-së për Grubin është një mesazh i qartë për të gjithë ata që devijojnë nga vlerat dhe objektivat që promovojnë partnerët tanë strategjikë,” përfundoi Zheji.
Deklaratat e tij reflektojnë shqetësimin e madh që mbizotëron në radhët e opinionit publik shqiptar për lidhjet e dyshimta të disa politikanëve me faktorë që minojnë stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të rajonit.