Kongresi i Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe (14-22 nëntor 1908)
Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si edhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi, shtruan në rend të ditës nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm. Rilindësit me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike, një shenjë dasie, që pengonte bashkimin e shqiptarëve. Miratimi i alfabetit (alfabetares) së Stambollit, në vitin 1879, ndonëse shënoi një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e vendosjes së një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe, nuk arriti ta zgjidhte përfundimisht këtë çështje.
Një ndihmesë të vyer dha revista “Albania” (Bruksel-Londër, 1897-1909) e Faik Konicës. Alfabeti i Stambollit u përhap vetëm në Shqipërinë e Jugut e të Mesme, ndërsa në Shqipërinë e Veriut, posaçërisht në Shkodër përdoreshin tri alfabete të tjera për shkrimin e shqipes, ai i shoqërisë “Bashkimi” (1899), i “Agimit” (i jezuitëve) dhe alfabeti i shkrimtarëve të vjetër të Veriut, që përdorej më shumë nga klerikët katolikë. Organet e shtypit shqiptar, ndonëse botoheshin të gjitha me alfabetin latin, kishin ndryshime ndërmjet tyre.
Në rrethana të tilla, vendosja e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe do të arrihej jo vetëm në luftë me sunduesit e huaj osmanë, por edhe duke kapërcyer frymën dhe interesat lokalë të shoqërive e të grupeve kulturore shqiptare, që ushqeheshin edhe nga dasitë krahinore dhe fetare të trashëguara nga e kaluara.
Thirrja e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe u bë e mundur vetëm në rrethanat që u krijuan për lëvizjen kulturore-kombëtare pas shpalljes së kushtetutës në vitin 1908.
Nismën për thirrjen e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, që luante rolin kryesor ndërmjet klubeve shqiptare. Gjatë muajve gusht-shtator, pasi kishte marrë edhe pëlqimin e klubeve e të shoqërive të tjera atdhetare, klubi i Manastirit ndërmori masat konkrete për thirrjen e kongresit kombëtar për çështjen e alfabetit. Me këtë rast, ftoheshin të merrnin pjesë në kongres “gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërisë”, si edhe “çdo filolog” shqiptar. Nisma e tij u prit mirë nga atdhetarët shqiptarë.
Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të ShBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj.
Delegatë të tij ishin:
- shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba;
- veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare, si Bajram e Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naço, Dhimitraq Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Gligor Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim efendiu (nga Shkupi), Ramiz Daci, Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga Resnja) etj.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi. Megjithatë, për një varg arsyesh të diktuara nga rrethanat e kohës, pati edhe intelektualë të shquar (si Faik Konica etj.) që nuk arritën të merrnin pjesë në punimet e këtij Kongresi.
Vendimet
Pas shumë diskutimesh Komisioni vendosi që të mos merrej në vështrim asnjëri nga tri alfabetet e përmendura më sipër, por të krijohej një alfabet i ri mbi bazën e atij latin, duke u dhënë shkronjave latine vlera fonetike në përputhje me nevojat e gjuhës shqipe. Por Komisioni ndeshi në vështirësi për caktimin e shkronjave dyshe, që nevojiteshin për ata tinguj të shqipes, që i mungonin latinishtes (për dh, gj, nj, th etj.). Në këto rrethana, pas tri ditë diskutimesh (17-19 nëntor), anëtarët e Komisionit, sikurse thuhej në vendimin e Kongresit, “të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme”, nuk arritën të caktonin një alfabet të vetëm për gjuhën shqipe, prandaj vendosën “të kthehen prapa”, duke pranuar alfabetin e Stambollit “e me të bashkë edhe një abece thjesht latine, që të përdoreshin e të mësoheshin bashkarisht në mes të shqiptarëve”. Të dy alfabetet do të përdoreshin detyrimisht në shkolla.
Në të njëjtën kohë ai u quajt si një zgjidhje e përkohshme për të kaluar në të ardhmen në përdorimin e një alfabeti të vetëm.
Ndonëse nuk caktoi një alfabet të vetëm, vendimi i Kongresit të Manastirit ishte një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit të shqipes dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në bashkimin politik dhe përparimin e mëtejshëm kulturor të kombit shqiptar. Me këtë vendim iu dha fund kaosit që mbretëronte deri atëherë në çështjen e shkrimit të shqipes. Në vend të alfabeteve të shumta që ishin përhapur në Shqipëri e në kolonitë e mërgimit, tani do të përdoreshin vetëm dy, edhe këta bashkërisht. Përveç kësaj, duke vendosur për dy alfabete, që mbështeteshin në atë latin, Kongresi i Manastirit ripohoi edhe njëherë vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur individualitetin e tyre kombëtar.
(Marrë shkurtime nga “Historia e Shqipërisë, Tiranë, 1984)
Tiranë, 21 nenetor 2024