8.2 C
Tetovo
E premte, 8 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBotaErdogan e ka ftuar Trumpin për vizitë në Turqi: Bashkëpunimi me SHBA-në...

Erdogan e ka ftuar Trumpin për vizitë në Turqi: Bashkëpunimi me SHBA-në është kyç për zgjidhjen e konflikteve globale

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit midis Turqisë dhe SHBA-së për adresimin e krizave të mëdha globale, përfshirë ato në Rripin e Gazës dhe Ukrainë, raporton Anadolu.

“Ne po përballemi me sfida të shumta, duke përfshirë çështjen e Palestinës dhe krizën Rusi-Ukrainë. Tejkalimi i tyre është i mundur përmes bashkëpunimit Turqi-SHBA”, tha presidenti Erdogan, duke folur me gazetarët gjatë fluturimit të tij të kthimit nga Budapesti, ku mori pjesë në një samit evropian.

Erdogan gjithashtu theksoi potencialin për gjallërimin e partneritetit turko-amerikan, duke përmendur komentet pozitive për Turqinë nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.

“Ne e kemi ftuar atë në vendin tonë dhe unë shpresoj se ai do ta pranojë ftesën tonë”, tha presidenti Erdogan.

Presidenti turk tha se ai dhe Trump më parë kanë punuar së bashku për çështje të rëndësishme, respektivisht në vitet 2017-2021.

“Edhe pse herë pas herë ka pasur mosmarrëveshje mendimesh, modeli i partneritetit midis Turqisë dhe SHBA-së është i pamohueshëm”, tha Erdogan.

Ai theksoi një interes të përbashkët për paqen në Lindjen e Mesme, duke vënë në dukje angazhimin paraprak nga Trump për të adresuar konfliktet rajonale.

“Ju e dini, Trump ka premtuar t’i japë fund konflikteve të nisura nga Izraeli. Ne duam që ai premtim të përmbushet dhe që Izraelit t’i thuhet ndal”, tha Erdogan.

Mund të jetë një fillim i mirë, tha presidenti Erdogan, që “Trump të ndërpresë mbështetjen me armë për Izraelin, për të ndaluar agresionin në Palestinë dhe Liban”.

Presidenti turk foli gjithashtu për luftën e vazhdueshme Rusi-Ukrainë, duke shprehur përkrahje për një zgjidhje diplomatike.

“Më shumë armë, më shumë bomba, më shumë kaos dhe konflikt nuk do t’i japin fund kësaj lufte. Më shumë dialog, më shumë diplomaci dhe më shumë konsensus mund të hapin derën e paqes”, tha Erdogan, duke shtuar se Turqia ka lehtësuar negociatat në të kaluarën dhe mund ta bëjë atë përsëri.

Më tej, presidenti Erdogan kritikoi politikat në rajon të administratës amerikane në largim.

“Vazhdimi i politikave të administratës së Biden-it do të thellonte ngërçin në rajon dhe do të përhapte konfliktin. Ne nuk e duam këtë”, tha ai.

Erdogan gjithashtu përsëriti dëshirën e Turqisë për marrëdhënie të drejta me Bashkimin Evropoian (BE), duke kërkuar nga blloku evropian të miratojë një “qasje vizionare” për përmirësimin e bashkëpunimit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments