Presidentja Siljanovska Davkova e pranoi dorëheqjen e anëtarëve të Komisionit për falje, njoftuan sonte nga kabineti i presidentes.
“Anëtarët e Komisionit për falje sot e informuan presidenten Gordana Siljanovska Davkova se japin dorëheqje kolektive nga pozitat në komision. Vendimin për dorëheqjen kolektive nga Komisioni për falje anëtarët e japin në përputhje me parimet e tyre personale dhe profesionale. Presidentja Siljanovska Davkova e pranoi dorëheqjen e dhënë nga prof.dr. Metodia Kanevçev, prof.dr. Gordan Kallajxhiev, prof.dr. Arlinda Kadri Shahinoviq, dr.Zora Mitiq, mr. Ana Gjorgjieva dhe Ajten Shaqiri”, qëndron në kumtesë.
Njëherësh shtohet se në periudhën e ardhshme presidentja Gordana Siljanovska Davkova do të kryejë konsultime për përbërjen e re të komisionit, si dhe për lëshimet institucionale dhe ligjore të cilat ekzistojnë në sistemin e faljes së personave të dënuar, qëndron në kumtesën e kabinetit të presidentes.
Profesori Gordan Kallajxhiev dhe anëtar i Komisionit për falje më parë sonte në profilin e tij në Fejsbuk informoi se anëtarët e Komisionit për falje kanë dhënë dorëheqje kolektive.
“Me këtë e njoftojmë publikun për dorëheqjen tonë kolektive nga pozitat e anëtarëve të Komisionit për falje. Këtë vendim e morëm në përputhje me parimet tona personale dhe profesionale”, qëndron në publikimin në profilin në fejsbuk të nënshkruar nga prof.dr. Metodia Kanevçev, prof.dr. Gordan Kallajxhiev, prof.dr Arlinda Kadri Shahinoviq, dr.Zora Mitiq, mr. Ana Gjorgjieva dhe Ajten Shaqiri.
Dorëheqja erdhi si pasojë e reagimeve në publik për faljet nga ana e presidentes Gordana Siljanovska – Davkova.