Ministria e Financave ka dhënë pëlqim për 38 vende të reja të punës në Ansamblin e Këngëve dhe valleve shqipe, raporton Alsat. Kjo u konfirmua nga Ministria e Kulturës, nga ku shpjegojnë se pëlqimin e kanë proceduar deri tek ushtruesi i detyrës drejtor i Ansamblit, ndërsa konkursi pritet të shpallet zyrtarisht javën e ardhshme.
Kujtojmë se Ansambli i këngëve dhe valleve shqipe muaj më parë mbeti pa të punësuar, për shkak të mos vazhdimit të kontratave për 34 persona.
Kjo situatë nxiti përplasje mes të punësuarve dhe ish drejtorit Shkodran Tolajt, i cili u shkarkua nga detyra pas kontrolleve të jashtëzakonshme të inspektoratit, ku janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe keqpërdorimesh nga ana e tij.
Kujtojmë që mbi 30 artistë të Ansamblit për disa muaj kishin mbetur pa punë për shkak se nuk u janë vazhduar kontratat e punës. Ata përmes një pres konference akuzuan drejtorin Shkodran Tolaj për presione të ndryshme. Por, Tolaj i mohoi këto akuza.