Shoqata e gazetarëve ka lshuar ankesë në Komunën e Tetovës për mos përgjigje në pyetjet gazetareske, përcjell TV21. E për këtë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se Komuna e Tetovës gjithmonë ka qenë transparente dhe e hapur si për gazetarët ashtu edhe për opinionin.
Ne si Komunë krenohemi me atë që jemi të hapur, jo vetëm ndaj mediave por edhe ndaj opinionit. Kështu që ndoshta është një pamundësi momentale e Qendrës për Komunikim me mediat për tu përgjigjur, por edhe unë si kryetar kam qenë i hapur në çdo moment të jap përgjigje për të gjitha çështjet që ju interesojnë”, tha Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.
Reagimi i plotë i SHGM-së
“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) reagon ndaj jush në lidhje me ankesat që në periudhën e kaluar i janë dërguar SHGM-së nga disa kolegë gazetarë dhe punëtorë mediatikë, të cilët punojnë në territorin e komunës së Tetovës.
Konkretisht, bëhet fjalë për disa vërejtje që janë të një rëndësie thelbësore për kolegët gazetarë, në mënyrë që ata të jenë të mirëinformuar dhe në këtë mënyrë edhe publiku, ndër të cilat:
- Mungesa e konferencave të rregullta për media dhe dërgimi i materialeve të filmuara nga shërbimi për publik i komunës (nëpërmjet wetransfer), që mund të krijojë përshtypjen se po shmanget procesi i diskutimit dhe pyetjeve nga gazetarët,
- Disa nga kolegët theksojnë se personat përgjegjës për marrëdhëniet me publikun në komunë, ka shembuj kur nuk u përgjigjen pyetjeve të parashtruara në mënyrë elektronike dhe kjo krijon pakënaqësi tek disa prej gazetarëve,
- Përveç kësaj, disa nga ndërmarrjet publike nën juridiksionin e komunës së Tetovës, kur dërgojnë përgjigje deri tek gazetarët në mënyrë elektronike, përkthimi në gjuhën maqedonase është i palogjikshëm, me gabime që mund të çojnë në të dhëna të pasakta.
Është e nevojshme të kemi një marrëdhënie profesionale dhe të qartë në mënyrë që të mos ketë mundësi që ndonjë informacion të dalë jashtë kontekstit.
Profesioni i gazetarisë, sikurse edhe profesioni i kryetarit të komunës së Tetovës, është publik, dhe ekziston për hir të qytetarëve, më saktë për informim të tyre, dhe administrata e qytetit duhet t’i trajtojë me respekt dhe integritet gazetarët dhe mediat.
Në interes të tejkalimit të këtyre vërejtjeve, ju lusim juve që të caktoni një takim për një brifing të përbashkët me mediat nga Tetova, në të cilin do të diskutohen së bashku këto pyetje të hapura.
Shpresojmë që kjo vërejtje e jona do të merret parasysh në të ardhmen, sepse mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i mirë ndërmjet kryetarit dhe medias është thelbësor për komunikim efektiv, transparencë në menaxhim dhe për të siguruar që publiku të mbetet mirë i informuar dhe i angazhuar në çështjet komunale”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gazetarëve.